Sport Weah: Interi? Jo, Milani të ketë frikë nga Juve. Maldini ka merita...

Weah: Interi? Jo, Milani të ketë frikë nga Juve. Maldini ka merita të mëdha

George Weah është sot presidenti i Liberisë. Megjithatë, nga viti 1995 deri më 2000, jeta e tij e përditshme ka qenë gjithmonë futboll. Më saktësisht, fanella e Milanit, me të cilën fitoi dy tituj kampioni. Kuqezinjtë po provojnë përsëri dhe ish-sulmuesi po i shikon nga larg. Ai foli për “Gazzetta dello Sport”, duke u ndalur gjithashtu tek Ibrahimovic dhe Ronaldo. Këtu janë disa fragmente nga intervista e tij.

Inter, Juventus dhe Napoli. Cili duket rivali më i komplikuar për Milanin, për sa i përket titullit?

“Unë them Juventusi, për dy arsye: sepse si fëmijë kam bërë tifo për bardhezinjtë dhe ngaqë ata kanë fituar titullin për 9 vite radhazi. Kur isha i vogël në Afrikë, imazhet e Serie A nuk mbërrinin deri këtu. Ne ishim të lidhur me futbollin francez. Së andejmi na tregonin imazhe të Platini në Itali, kështu që unë u lidha me Juven. Pastaj, jeta më solli në Milano, ku gjeta një familje si dhe një ambient fantastik pune. Milani më dha gjithçka, por mbeta tifoz i Juves”.

A ju kanë befasuar kuqezinjtë?

“Pse? Ne po flasim për Milanin, jo për ndonjë skuadër dosido”.

Por kaloi një periudhë të gjatë vështirësie…

“Po, por prej disa muajsh ka filluar një projekt të saktë, brilant, konkret. Maldini ka merita të mëdha. Paolo është një njeri i përulur, një kapiten i shkëlqyeshëm dhe një mik i madh. Unë mund të jem i njëanshëm, dakord, por le të flasim për një person me zemër të pamasë dhe një punëtor të palodhur. Paolo i frymëzon ata që janë pranë tij, iu transmeton besim edhe tani, siç bëri kur luajti. Padyshim është një udhëheqës i shkëlqyeshëm për grupin, i cili di se çfarë duhet bërë për të arritur qëllimet”.

“Ronaldo është model i punës dhe pasionit”

Fjalë të ëmbla, me një ‘por’…. George Weah e lartëson Cristiano Ronaldon, edhe pse nuk e konsideron më të mirin e futbollit botëror. Ish-sulmuesi i Milanit, tani president i Liberisë, shprehu mendimin e tij për kampionin e Juventusit: “Një shembull i shkëlqyeshëm. Është dëshmia më e lartë se si falë punës dhe pasionit mund të arrihen qëllime të pamendueshme në letër. Historia e Ronaldos tregon që, nëse besoni se mund të bëni diçka, mund t’ia dilni. Ai nuk është më i miri në botë, por është trajnuar në mënyrë të jashtëzakonshme për t’u bërë ky që është prej vitesh. Unë jam një adhurues i tij, sepse nuk e ka humbur përulësinë dhe ka fituar gjithçka që mundet. Ronaldo ka luftuar metër për metër për të arritur atje ku është tani”.

“Ibrahimovic, çfarë lideri”

Duke folur për shembuj, Weah gjithashtu lartëson Zlatan Ibrahimoviç: “Një tip i fortë dhe me vetëbesim, cilësi që menjëherë tërheqin vëmendjen. Por, pas këtij imazhi ka shumë më tepër: Ibra punon shumë dhe është gjithmonë 100 për qind i përqendruar në profesionin e tij. Jam i lumtur që Milani e ka marrë atë, sepse mund të jetë shumë i dobishëm për klubin, në punën me të rinjtë. Djemtë atje, si në ekipin e parë, ashtu edhe të rinjtë kanë një shembull të shkëlqyeshëm dhe një burim frymëzimi. Një udhëheqës si ai mund t’i udhëheqë me shembullin personal. Ibra është shembulli më i mirë i asaj që një udhëheqës mund të bëjë. Jam shumë i lumtur për të”.