Opinione William Farel, njeriu që mallkoi John Calvin-in, dhe rezultati?

William Farel, njeriu që mallkoi John Calvin-in, dhe rezultati?

Dr. Bledar Kurti

Nga Dr. Bledar Kurti

Në korrik të vitit 1536, John Calvin, një prej figurave më të shquara të Reformacionit Protestant u detyrua të kalonte një natë në Gjenevë teksa po udhëtonte për në Strasburg. Predikuesi William Farel, duke e njohur Calvin-in përmes popullaritetit të veprave të tij, Institutet e Besimit të Krishterë, dëgjoi për ardhjen e Calvin dhe menjëherë u nis për në vendin ku ai po qëndronte.

Farel mbërriti në han dhe gjeti një Calvin të ri, 27 vjeç, i cili dukej se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.  Pasi dëgjoi dëshirën e Calvin për t’u nisur në mëngjes për në Strasburg, Farel iu lut të qëndronte në Gjenevë dhe ta ndihmonte në punën e tij në reformimin e qytetit.

Calvin tha me refuzim “Unë nuk mund të qëndroj. Unë kam nevojë për qetësi.  Duhet të studioj në një vend të qetë ku nuk më shqetësojnë.”  Farel ia nguli sytë të riut, i vuri dorën në kokë dhe foli me një zë porsi bubullimë: “Zoti të mallkoftë ty dhe studimet e tua nëse nuk më bashkohesh mua këtu për të bërë punën për të cilën Ai të ka thirrur!”

Calvin, i tronditur dukshëm, u ul pa fjalë derisa më në fund u përgjigj: “Unë do të qëndroj në Gjenevë, – i dorëzohem vullnetit të Zotit”.  Kështu filloi miqësia e përjetshme e William Farel dhe John Calvin dhe puna e tyre reformuese në Gjenevë.

John Calvin, do kishte një influencë më të madhe në Krishtërimin Protestant sesa ndonjë reformator tjetër. Në vitin 1536 Calvin shkoi në Gjenevë ku qëndroi gjer në vdekjen e tij në vitin 1564, dhe ku do bëhej njeriu më me influencë në të gjithë qytetin dhe ku do fitonte reputacion ndërkombëtar. Qyteti i Gjenevës do shndërrohej në “shkollën më perfekte të Krishtit që nga dita e Apostujve” tha John Knox.

Gjeneva u shndërrua në qendrën e Reformacionit e madje të gjithë Protestantizmit. Katolikët kishin si qendër Vatikanin, Protestantët kishin Gjenevën.

Kjo u arrit jo vetëm nga predikimet bindëse të Calvin por edhe nga rregullat sociale të mbështetura nga ligji. Jeta morale dhe fetare e qytetit kontrollohej nga një seri këshillash të zgjedhur në të cilat uleshin si laikët ashtu dhe pastorët e kishave. Ishte këshilli i qytetit që jepte vendimin e fundit në zgjedhjen e pastorëve të cilët nuk kishin juridiksion civil. Megjithatë, në praktikë, dallimi midis autoriteteve civile dhe fetare ishte i turbullt, kisha dhe shteti dukeshin një në shoqëri “të dalluara në funksione, por të pandara në vetvete. John Calvin propozoi reforma për Këshillin e Gjenevës, e cila i kaloi Ordonnances ecclesiastiques (Urdhrat Kishtare) në nëntor të vitit 1541.

Këto urdhra qeverisnin jetën morale dhe fetare të qytetarëve në detajet më të vogla. Ato përmbanin katër funksione ministrore kishtare: pastorët duhet të predikonin dhe të administronin sakramentet; doktorët të udhëzonin besimtarët në lidhje me besimin, pleqtë të siguronin disiplinën, ndërsa dhjakonët të kujdeseshin për të varfërit. Gjithashtu u kërkua që edhe gjykatat kishtare të përbëheshin nga pleqësia dhe pastorët e kishave. Qeveria e Gjenevës ruante pushtetin të sillte njerëzit në gjyq, ndërsa gjykata kishtare do gjykonte vetëm çështje ekleziestale duke mos patur juridiksion civil.

Pleqësia i raportonte Këshillit të Pastorëve raste herezie, mos pjesëmarrje në shërbesat e të dielave, kritika ndaj pastorëve etj. Çdo aspekt i jetës ishte nën këqyrjen e tyre: magjia, shfrytëzimet financiare, kumari, bisedat imorale, e folura e pahijshme, lojrat e fatit, shfrenimet seksuale, dhe e veshura e pahijshme.

Gjeneva u bë një shembull i Kishës Apostolike duke e bërë këtë qytet simbolin e Reformacionit Protestant.

Gjeneva do mësymej nga refugjatë dhe vizitorë nga vende të tjera për të gjetur strehim: rreth 4,770 refugjatë të huaj hynë në qytet gjatë periudhës 1549 deri 1559 prej të cilëve 1,536 ishin artizanë. Ata stimuluan tregëtinë dhe prodhimin, ndër të tjera industrinë e botimit dhe orëve, duke i shtuar kështu begatinë qytetit.

Gjeneva u bë qendra e edukimit të pastorëve dhe publikimit të fletushkave dhe literaturës Protestante.

Suksesi i Kalvinizmit qëndronte te teologjia sistematike e John Calvin të cilën e shprehu tek Institutet e Besimit të Krishterë. Ky sukses që përbënte shtyllën kurrizore të Protestantizmit u përhap nga Gjeneva në Francë, Skoci, Hollandë, duke patur një ndikim të madh në kishën në Gjermani dhe Angli, por impakti i madh ishte edhe në kolonitë e themeluara nga Puritanët në New England në Amerikë, ku Protestantizmi do ishte një element themeltar në jetën fetare amerikane e cila me krijimin e shtetit të ri Amerikan do e konsolidonte Protestantizmin edhe në kontinentin e ri përtej Atlantikut.

E gjithë kjo rrjellë historie, falë mallkimit të një predikuesi që quhej William Farel dhe një mendjendrituri protestant të bindur që quhej John Calvin.