Aktualitet “WomenCan”! 51 histori frymëzuese të grave shqiptare (FOTO)

“WomenCan”! 51 histori frymëzuese të grave shqiptare (FOTO)

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u promovua sot nisma “WomenCan / Vajzat për Shqipërinë”, ideuar nga gazetarja Edlira Gjoni.

Në një datë simbolike dhe në një sallë të tejmbushur jo vetëm me gra, Gjoni prezantoi vlerat e 51 vajzave shqiptare, që i ka përmbledhur në një libër të veçantë.

Çfarë është ky libër?

Është një botim për vlerat, parimet, karakterin dhe lidershipin e heshtur të grave që me punën dhe përpjekjet e tyre, e bëjnë familjen, shoqërinë dhe Shqipërinë të mbahet në këmbë çdo ditë.

“Por, janë aq modeste e të heshtura, saqë anashkalohen, edhe pse janë gati 1 milionë e 500 mijë”, thotë Gjoni, që shton “Sjellim në këtë libër portretet e 51 grave dhe vajzave që pasqyrojnë rolin tonë të tanishëm e ndikimin për të ardhmen e përbashkët. I kam quajtur “Vajza” sepse është termi më i bukur që përmbledh jo moshën, por bukurinë njerëzore që personazhet e portretizuara, nga 10 deri në 65 vjeç, kanë në karakterin e tyre, në punë e në shpirt”.

Në libër do të frymëzoheni nga 51 karakteristika dhe parime të forta njerëzore, jo si koncepte më vete, por si pjesë përbërëse e karakterit të vajzave, që edhe pse nuk janë as të njohura, as figura publike, janë lidere të pamohueshme në punët që bëjnë individualisht.

Pse janë zgjedhur figura jopublike?

Për Gjonin, kjo zgjedhje ishte e qëllimtë.Sipas saj Kështu i japim hapësirë, mirënjohje dhe vlerësim të gjitha atyre vajzave dhe grave që me punën e tyre i shërbejnë edhe familjes, edhe vendit të punës, edhe Shqipërisë, në mënyrë të heshtur, por të hekurt e pa u dorëzuar asnjë ditë”.

Jo vetëm libër

Edlira Gjoni nuk është mjaftuar vetëm me librin dhe me faqen e internetit, por ajo synon që WomenCan / Vajzat për Shqipërinë”, të kthehet në një nismë shumë më të madhe, duke promovuar  rolin e ri të vajzave si lidere të udhëhequra nga karakteri.

Përmes portreteve të përzgjedhura, nisma mbjell e kultivon një model të ri për vajzat, atë të mbartëseve të parimeve e vlerave, si shembull për t’u ndjekur në shoqërinë shqiptare.

Shqipëria ka nevojë për shembuj pozitivë

Sipas studimeve të mëhershme të Gjonit, në median dhe ligjërimin tonë publik, dy janë mënyrat se si portretizohen gratë: Në njërin kah lajmet për dhunën ndaj tyre dhe në kahun tjetër glorifikimi i jetës së figurave publike, politikaneve apo vajzave në showbiz.

“Mirëpo, midis këtyre dy ekstremeve ka pothuajse një milion e gjysmë gra për të cilat nuk flet askush. Për to flet ky libër. Për to është kjo nismë. Atyre u themi “Faleminderit që e bëni Shqipërinë më të mirë“, thotë Gjoni.