Bota Wuhani mohon akuzat, Trump paralajmëron Kinën: Do ta paguani nëse gënjyet

Wuhani mohon akuzat, Trump paralajmëron Kinën: Do ta paguani nëse gënjyet

Tension tepër i lartë mes Pekinit dhe Uashingtonit. Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëron Kinën se do të paguajë pasoja të rënda nëse ka mashtruar lidhur me pandeminë koronavirus.

“Nëse ishte një gabim, mbetet gabim. Por nëse është përgjegjës me vetëdije, sigurisht, duhet të ketë pasoja. Po flasim për humbje jetësh njerëzore që s’janë parë që prej vitit 1917”, tha Trump.

Trump dhe ndihmësit e tij kanë kritikuar vazhdimisht Kinën për mungesën e transparencës pas shpërthimit të Covid-19 në provincën Hubei. Presidenti amerikan ka vënë në dyshim gjithmonë bilancin e qeverisë së Pekinit, i cili për çudi u rishikua të premten, duke shtuar dhe rreth 1300 viktima të reja që nuk ishin shënuar më përpara.

Ndërkohë, Kina vazhdon të mbrohet nga sulmet, veçanërisht ndaj atyre që vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Shteti komunist mohon që virusi ta ketë pikënisjen nga një laborator i Wuhanit. “Kjo është e pamundur”, thotë drejtori i institutit të virologjisë që gjendet në qytetin ku pati zanafillën koronavirusi i ri. “Asnjë nga shkencëtarët nuk është infektuar dhe i gjithë instituti po kryen kërkime në fusha të ndryshme lidhur me koronavirusët”, shton Yan Zhiming.

Instituti hodhi poshtë teorinë që në shkurt, duke theksuar se ka ndarë informacionet për virusin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë që në janar. Shkencëtarët kinezë mbështesin tezën se Covid-19 ka kaluar nga lakuriqët e natës te njerëzit në një treg të kafshëve të egra në Wuhan. Por ky  pohim shikohet me skepticizëm pasi në atë treg nuk ka tezga që shesin lakuriqë nate.

Inteligjenca amerikane, që ka hapur një hetim për origjinën e virusit pandemik, ka dyshime të forta që përhapja e tij të ketë nisur aksidentalisht brenda laboratorit të Wuhanit e më pas në popullatë.