Sport Xavi del hapur: Barça ëndrra dhe objektivi im, mezi pres ofertën

Xavi del hapur: Barça ëndrra dhe objektivi im, mezi pres ofertën

Ronald Koeman është konfirmuar për momentin në pankinën e Barcelonës, por maksimumi do të qëndrojë në atë pozicion deri në fund të sezonit, kur i përfundon edhe kontrata, pasi presidenti Laporta nuk ka ndërmend t’i ofrojë rinovimin, duke qenë se nuk e konsideron të denjë për të vijuar projektin.

Në Katalunjë të gjithë presin rikthimin e Xavi Hernandez, që pasi udhëhoqi Barcelonën më të lavdishme si kapiten në fushën e lojës, tani duket se është gati të bëjë të njëjtën gjë nga pankina, duke qenë se prej disa kohësh ushtron profesionin e trajnerit te Al Sadd në Katar.

Në një intervistë të dhënë në prag të El Clasicos ndaj Realit, ish-kapiteni i katalanëve deklaroi se ëndërron rikthimin te Barcelona dhe mezi pret ditën kur do të drejtojë skuadrën e tij të zemrës nga pankina.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar me punën që po bëj te Al Sadd, megjithatë nuk e fsheh se Barcelona është ëndrra dhe objektivi im i madh. Nuk e di a do të ndodhë apo jo, a do të kenë nevojë për mua apo jo, por në momentin që do të më vijë një ofertë, sigurisht që nuk do të mendohem dy herë për të drejtuar skuadrën time të zemrës”, u shpreh Xavi Hernandez.