Extra Xhensila rrëfen periudhën e vështirë pas lindjes: Për 2 muaj frika s’më...

Xhensila rrëfen periudhën e vështirë pas lindjes: Për 2 muaj frika s’më la ta ndaja me njeri

Duke qenë se tetori i dedikohet ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, personazhe të famshëm të të gjithave fushave kanë dhënë mesazhin e tyre duke inkurajuar gratë të kontrollohen për të parandaluar këtë sëmundje.

E fundit ishte Xhensila Myrtezaj e cila pak orë më parë, përmes një videoje bëri thirrjen e saj duke ndarë me ndjekësit në Instagram edhe një histori personale. Këngëtarja, rrëfeu se pak kohë pas lindjes së vajzës, vuri re diçka që nuk shkonte me gjoksin e saj dhe dyshimet e para që i lindin lidheshin pikërisht me kancerin e gjirit.

“Dua të rrëfej një histori të vogël dhe dua të them që të gjitha jemi të barabarta në këtë luftë. Askush nuk përjashtohet. Pasi linda vajzën dhe pasi mbaroi procesi i gjidhënies kuptova që kishte diçka që s’shkonte me trupin tim.Për dy muaj rresht e mbajta brenda vetes këtë gjë dhe nuk e ndava me njeri. Një frikë shumë e madhe nuk më lejonte ta ndaja me të tjerët, por nga ana tjetër më vriste ndërgjegjja sepse po bëja gabim.

Sido që të ishte unë duhet ta merrja vesh dhe nëse kishte diçka që s’shkonte të luftoja. Më vonë i tregova Besit dhe ai menjëherë më dërgoi tek mjeku. Falë Zotit ishin thjesht disa kiste që i dalin nënave pas gjidhënies. E them këtë që pavarësisht frikërave që ne kemi, kontrolli është i nevojshëm. Unë personalisht bëj kontrolle çdo 6 muaj dhe eko gjiri një herë në 2-3 muaj për t’u siguruar që s’ka asgjë që s’shkon“, përfundoi Xhensila.

Nga ana tjetër, pak ditë më parë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, prezantoi përmes një videoje në rrjetet sociale fushatën kundër kancerit të gjirit, në muajin dedikuar luftës ndaj kësaj sëmundje. Ajo tha se përgjatë gjithë muajit mamografia do të mund të bëhet falas në çdo spital rajonal, ku gratë mund të drejtohen për të kryer kontrollet e nevojshme.