Aktualitet “Xhiroja” në ish-Bllok e Dritan Dajtit, furtunë shkarkimesh në burgun e Peqinit

“Xhiroja” në ish-Bllok e Dritan Dajtit, furtunë shkarkimesh në burgun e Peqinit

Është shkarkuar nga detyra drejtori i burgut të Peqinit. Vendimi është marrë pasi u lejua dalja nga qelia e Dritan Dajtit, për të shkuar te dentisti në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj përmes një njoftimi për shtyp ka denoncuar shkeljet që sipas saj janë flagrant dhe “është konkluduar qartazi se në shkelje flagrante me ligjin, stafi mjekësor e drejtues në IEVP-në Peqin nuk kanë  kryer asnjë proces vlerësimi të kërkesës – në profilin mjekësor dhe operacional të riskut – dhe nuk ka marrë në konsideratë asnjë mundësi për kryerjen e vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike të afërta me institucionin e vuajtjes së dënimit”.

Për këto shkelje procedurale ministrja Etilda Gjonaj ka vendosur shkarkimin e drejtuesve të burgut të Peqinit.

Lirimin nga detyra të Drejtorit të IEVP-së Peqin, z. Emin Shpata për shkelje të rëndë.

Lirimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Bardhyl Kaçorri për shkelje të rëndë.

Largim nga puna të mjekut të IEVP Peqin, z. Andi Andoni.

Lirim nga detyra të shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, z. Ferit Mici.

Vërejtje me paralajmërim për mjeken e DPB znj. Ermira Qirinxhi.

Vërejtje me paralajmërim për inspektorin e IEVP Peqin, z. Mefat Shehu.