Politika Yuri Kim: Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda vitit

Yuri Kim: Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda vitit

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim si dhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca, zhvilluan këtë të mërkurë një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushën. Me një shënim në Twitter, diplomatja amerikane këmbëngul që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda 31 dhjetorit të këtij viti.

Ajo thotë se kur kjo gjë të realizohet, atëherë do të ketë merita për palët, përfshirë këtu kreun e shtetit Ilir Meta, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi si dhe për kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

“Bashkë me Luigi Soreca takuam sot kryetaren e KED Tusha për të rikonfirmuar afatin kohor për të caktuar kandidatë e kualifikuar për Gjykatën Kushtetuese. Takimi i nesërm i KED që përfshin Parlamentin dhe Presidencën, duhet ta çojë procesin përpara në mënyrë që Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri më 31 dhjetor. Kur kjo të ndodhë, atëherë presidenti Ilir Meta, kryeparlamenti Ruçi dhe kryetarja e KED Tushe do të meritojnë merita për ndërmarrjen e veprimeve urgjente në përputhje me opinionin e Komunitetit të Venecias dhe në përgjigje të kërkesës së popullit shqiptar për Reformën në Drejtësi”, shkruan në Twitter ambasadorja Kim.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ditën e djeshme ka skualifikuar tre prej kandidatëve. Ata janë Eugen Papandile, Zhaklina Peto dhe Ilir Haznedari.