Politika Yuri Kim i përgjigjet Ramës pas kërkesës për hetimin e Berishës

Yuri Kim i përgjigjet Ramës pas kërkesës për hetimin e Berishës

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim tha sonte në emision “Open” se Shqipëria do të jetë një mik dhe partner i mirë për vendin e saj kur korrupsioni, krimi i organizuar dhe gjykatat e korruptuara të eliminohen.

Kim ka komentuar sërish thirrjen që kryeministri Edi Rama i bëri SPAK-ut për të hetuar Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Eni Vasili: A është Shqipëria në rrugën e duhur për ngritjen e këtyre institucioneve për të cilat ju folët?

Ambasadorja Kim: Kjo është një rrugë shumë e vështirë por ne besojmë se jeni në rrugën e duhur dhe e shihni këtë të reflektuar në raportimet tona, e shihni të reflektuar në progres-raportet e BE-së. Sigurisht, edhe një herë, nuk do të thotë se çdo gjë është 100% dhe çdo gjë shkon sahat. Është e qartë që ka fusha ku duhet përparim dhe prandaj themi se, për shembull për reformën në drejtësi, nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por patjetër po bën përparim.

Eni Vasili: E kuptoj dhe meqenëse jemi këtu tek reforma në drejtësi, dhe sigurisht, pritshmëria e qytetarëve Shqiptarë, edhe për faktin se ajo është mbështetur shumë nga ju, ka vërtetë pritshmëri shumë të mëdha, le të ndalojmë. Kryeministri Rama ditët e fundit ka bërë disa deklarata, akuza le t’i quajmë, kritika të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar që të hetojnë kundërshtarët politikë, Berisha dhe Meta. Çfarë do ta konsideronit ju këtë, një shkundje ekstreme, të justifikuar, apo ka diçka që nuk shkon tek ndarja e pushteteve, një shkelje nëse mund ta quajmë të tillë?

Ambasadorja Kim: Fola për këtë pak ditë më parë, kur Ministri i Drejtësisë përsëriti atë që kishte thënë Kryeministri. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se kur shohim reformën në drejtësi, do ta dimë se vërtet ka pasur sukses kur të mos quhet më normale apo me vend që udhëheqësit politikë, qofshin në pushtet apo larg pushtetit, por sidomos nëse janë në pushtet, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të individëve specifikë. Ajo që duam të shohim nuk është përmendja e emrave specifikë, por një sistem drejtësie të ngritur dhe institucione që kanë si vullnetin ashtu edhe aftësinë për të zbatuar ligjin, barabar, për këdo, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji të aplikohet barabar. Ndaj, pres me kënaqësi ditën kur mund ta kemi këtë besim tek sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, tek prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë.

Sipas ambasadores Kim, pavarësisht deklaratave të politikanëve se SPAK po dështon, njerëzit besojnë në punën e këtij institucioni. Ajo rendit emrat e bandave, ish-ministrave dhe deputetëve që tashmë janë prapa hekurave falë Reformës në Drejtësi.

Eni Vasili: Por a po e deligjitimon fakti që nuk ka ende një bilanc nga SPAK për çështjet e korrupsionit që ju i përmendët pak më parë si një nga mënyrat për ta shpëtuar vendin dhe për ta bërë mik të denjë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mungesa e arrestimit të peshqve të mëdhenj, siç ambasadorët e tjerë përpara jush deklaruan se do të ndodhte?

Ambasadorja Kim: Faleminderit që e bëtë këtë pyetje. Kam sjellë disa fakte sepse mendoj që ka shumë njerëz që, për çfarëdo arsyesh, duan të thonë që reforma në drejtësi po dështon, ose që SPAK nuk po funksionon. Do t’ju them se në bisedat e mia me shqiptarë të zakonshëm, jo njerëz me tituj të bukur apo vila të bukura a shtëpi të bukura, por shqiptarë të zakonshëm. E dini ç’më thonë? Se besojnë në punën e SPAK-ut dhe që më në fund shohin rezultate reale të vijnë nga reforma në drejtësi. E dini pse e thonë këtë? Sepse ja faktet: çështjet kundër grupit të Emiljano Shullazit, kundër grupit Avdyli – ky është grupi i Shijakut, grupi i Petrit Sulejmanit, grupi i Esat Mehmetit, grupi i Admir Hoxhës, dhe grupi Ndoka u dënuan me vendime të formës së prerë. Grupe të tjera kriminale të rrezikshme janë nën hetim dhe gjykim. Grupi i Durrësit, grupi famëkeq i Durrësit është në gjykatë. Kur thoni se shkojnë pas të vegjëlve, ju vë në dukje këtë: ish-Ministri i Brendshëm, ish-Prokurori i Përgjithshëm, dy ish-kryebashkiakë janë dënuar me vendim të formës së prerë. S’ka pikëpyetje, janë dënuar. Një ish-Ministër i Mjedisit, një deputet në detyrë, dhe shumë zyrtarë të tjerë, në ministri të ndryshme janë nën hetim për çështjen e inceneratorëve.

Gjykatës dhe prokurorë u dënuan nga gjykata e shkallës së pare për kundravajtjen penale të korrupsionit, s’po përmend emra, mund t’i kërkoni vetë. Gjykata e shkallës së parë dënoi të gjithë strukturën qendrore të shtetit që kryente prokurimet publike në emër të të gjitha institucioneve shtetërore – kjo ka lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit. Janë në gjyq për korrupsion, shpërdorim detyre, dhe deklarim të rremë të të ardhurave. Të tjerë gjykatës dhe prokurorë po ashtu janë nën hetim. Tri kryebashkiakë janë në gjyq tani. 190,000 metra katrore tokë në Gjirin e Lalzit u konfiskuan. Disa çështje të tjera penale janë nën hetim për shpërdorim kryer kundër pronave të tjera publike. Po ju them disa statistika vetëm nga viti 2021: u kryen 715 procedime penale kundër 519 të dyshuarve; 239 persona të akuzuar u çuan në gjyq, nga të cilët 84 për krim të organizuar, 96 për korrupsion, 59 për kundravajtje të tjera; u dënuan 230 të pandehur, nga të cilët 94 për krim të organizuar dhe 136 për korrupsion dhe kundravajtje të lidhura me të; asete me vlerë mbi 70 milionë euro janë konfiskuar dhe transferuar tek shteti për t’u përdorur nga publiku.

Këto janë fakte reale. Këto janë fakte reale dhe nëse i krahason këto të dhëna me të mëparshmet, mendoj është shumë e qartë se po ndodh përparim dhe njerëzit e zakonshëm e kuptojnë këtë. Njerëzit që kanë agjenda politike mund të flasin sa të duan se s’ka ndodhur asgjë, apo peshq të vegjël apo kjo e ajo. Njerëzit e zakonshëm kanë sy, veshë dhe trurin e tyre dhe mund ta shohin ç’po ndodh.