Politika Yuri Kim: Respektoni “5 qershorin”, qëndrojini fjalës së dhënë, është çështje nderi

Yuri Kim: Respektoni “5 qershorin”, qëndrojini fjalës së dhënë, është çështje nderi

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim në deklaratë të bërë nga Himara ka folur për zhvillimet e fundit mbi reformën zgjedhore. Diplomatja amerikane tha se mirëpret propozimet e bëra nga opozita jashtë Parlamentit dhe gatishmërinë e shprehur nga mazhoranca për t’i përfshirë në debat këto propozime.

“Jam shumë e kënaqur për faktin se opozita jashtëparlamentare ka marrë përgjegjësinë e saj për të qenë e angazhuar për të vazhduar për të përfaqësuar popullin.

Siç edhe e theksova para disa ditësh, është tejet e rëndësishme që opozita të mbetet e angazhuar, dhe të gjitha partitë të sjellin propozime reale dhe gjithashtu dhe kundër propozime real.

Kam kuptuar që sot opozita ka bërë një propozim konkret, dhe jam shumë e kënaqur që kam dëgjuar gjithashtu që PS ka thënë që do ta marrë këtë kundër propozim dhe do të ketë një debat real për ta përfshirë.

Ky standard i transparencës dhe i përfshirjes, është saktësisht ajo që duhet të presim nga një vend anëtar i NATO-s, dhe një vend i cili kryeson OSBE. Janë standarde të larta, por ju i meritoni ato”, deklaroi Kim.

Sipas ambasadores amerikane, partitë politike në Shqipëri duhet t’i qëndrojnë marrëveshjes së 5 qershorit, pasi firmat e liderëve të tyre ndodhen në atë dokument.

“Mendoj që pozita e SHBA ka qenë shumë e qartë, 5 qershori ishte gjithëpërfshirës dhe transparent. Çdo parti që ka nënshkruar atë letër, duhet t’i qëndrojë fjalës së dhënë, është çështje nderi. Firma ime nuk ndodhet mbi atë letër. Janë ata që kanë nënshkruar atë letër personat përgjegjës për të zbatuar 5 qershorin.

Pritshmëria ime është që ‘5 qershori’ do të nderohet. Nëse palët do të bien dakord për masa të tjera përtej 5 qershorit, do të ishte shumë mirë dhe ne do t’i mbështesim. Por, le të shikojmë se çfarë do të ndodhi”, përfundoi Kim.