Kryesore Zaev fiton zgjedhjet në Maqedoni. BDI, partia shqiptare me më shumë deputetë

Zaev fiton zgjedhjet në Maqedoni. BDI, partia shqiptare me më shumë deputetë

Nga rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, kur janë numëruar pjesa me e madhe e votimeve, rezulton se LSDM e Zoran Zaev është fituese me koalicionin “Mundemi”. Kështu, LSDM rezulton se ka fituar 46 deputetë, ndërsa VMRO-DPMNE 44 deputetë.

Mediat maqedonase raportojnë se partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë fituar 33 deputetë nga rezultati paraprak.

Kështu nga llogaritjet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 15 mandate, Aleanca për Shqiptarët 12, Partia Demokratike Shqiptare 2 mandate dhe Lëvizja BESA, e cila garoi në koalicion me LSDM, 4 mandate.

Gjatë natës së kaluar, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev shpalli fitore të LSDM-së dhe koalicionit “Mundemi” në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Zaev i vlerësoi zgjedhjet si evropiane, të sigurta dhe bashkëkohore si dhe falenderoi të gjithë ata që dolën për të votuar.

“Sot fitoi e ardhmja, fitoi përparimi. Koncepti, një shoqëri për të gjithë, i mundi përçarjet”, tha Zaev.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të zhvillohen për 120 deputetët e Kuvendit. Ato u zhvilluan për 3 ditë me radhë për shkak të pandemisë.