Bota Zaev fton Kosovën në Mini-Shengen: Do të zgjidheshin shumë probleme në rajon

Zaev fton Kosovën në Mini-Shengen: Do të zgjidheshin shumë probleme në rajon

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në një paraqitje publike është pyetur edhe rreth iniciativës së Mini-Shengenit dhe nëse është konsultuar me partitë shqiptare në Shkup, për shkak të bojkotit të Kosovës.

Kryeministri u ka bërë thirrje partive politike shqiptare që të prononcohen se cilat aspekte të iniciativës janë kontestuese, duke thënë se iniciativa ka vetëm një qëllim, zhvillimin ekonomik të rajonit. Ai i bëri thirrje Kosovës që të kyçet në këtë iniciativë

“Nëse Kosova ulet bashkë me ne në tavolinë, do të zgjidhen shumë probleme që prekin jo vetëm Kosovën por tërë rajonin. Kemi mirëkuptim se përse nuk duan të marrin pjesë, por ne sillemi sipas standardeve ndërkombëtare, Procesit të Berlinit. Atje qëndron edhe flamuri i Kosovës dhe ka procedura dhe protokolle që i respektojmë deri në fund”, tha Zaev.

Ndryshe, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në prononcimet e tyre kanë bërë të ditur se kjo nismë nuk duhet të jetë alternativë e BE-së dhe se nismat e këtilla rajonale pa pjesëmarrjen e Kosovës nuk duhet të mbështeten.