Bota Zaev: Gjithë ndihmën e duhur për Shqipërinë mike

Zaev: Gjithë ndihmën e duhur për Shqipërinë mike

“Jemi në gjendje gatishmërie të plotë për t’i ofruar ndihmë Shqipërisë pas tërmetit dhe tashmë janë dërguar ekipe për shpëtim dhe janë dhënë udhëzime drejt rajoneve më të afërta siç janë Ohri-Struga dhe Kërçova, ndërkohë që në gjendje gatishmërie janë edhe ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit nëse është e nevojshme, të dërgohen”, deklaroi sot kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Zaev tha se që herët në mëngjes u morën të gjitha vendimet për ta ndihmuar Shqipërinë mike për shkak të tragjedisë që ndodhi.

“Ne jemi plotësisht në dispozicion. Qeveria sot në seancë do ta diskutojë këtë çështje. Ne e ofrojmë maksimumin tonë për të ndihmuar, çfarëdo që të jetë e mundur për të shpëtuar jetë njerëzish, për ta rikthyer jetën në normalitet.  Shprehim keqardhje për këtë fatkeqësi, e kemi ndjerë edhe ne këtu në Shkup, gjithashtu e kanë ndjerë edhe në anën tjetër të Detit Adriatik, në Itali, por për fat të keq epiqendra në afërsi me 6,3 ballë bëri dëme të mëdha, mes të cilave edhe humbjen e jetëve të njerëzve”, tha Zaev, duke shprehur ngushëllime për viktimat e tërmetit në Shqipërii.