Bota Zaev: S’kam lidhje me zhvatjen, kush ka gabuar të shkojë në pranga

Zaev: S’kam lidhje me zhvatjen, kush ka gabuar të shkojë në pranga

Zoran Zaev e mohon kategorikisht përfshirjen në aferën e korrupsionit të mbiquajtur “ zhvatja”, që tronditi së fundi Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri maqedonas hodhi poshtë jo vetëm për lidhjen e tij me ketë skandal korrupsioni, por edhe atë të politikanëve të tjerë. Zaev pretendon se nuk ka biseduar me njërin nga personat e ndaluar si një prej figurave qendrore në këtë skandal, Bojan Jovanovski, lidhur me “menaxhimin e situatës me të”.

Shefi i qeverisë komentoi edhe prangosjen e bujshme të Prokurores Speciale, Katica Janeva, po ashtu e dyshuar në zhvatjen e 1.5 milion eurove të afaristit, Orce Kamçev, të cilit i është premtuar se do të ketë masa lehtësuese në një proces tjetër gjyqësor.

“Kushdo që ka gabuar duhet të përgjigjet para ligjit. Jemi krenarë se si pushteti ekzekutiv kemi krijuar kushtet që sistemi gjyqësor të punojë në mënyrë të pavarur dhe të kthejmë sundimin e ligjit në shtet. Ne po dëshmojmë se Maqedonia e Veriut po ndryshon; tani askush nuk po ndikon në gjyqësor, nuk ka presione ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, ata po marrin vendime të pavarura”, deklaroi Zaev duke kërkuar nga partitë politike që sa më parë të ulen dhe të arrijnë marrëveshje për ligjin e Prokurorinë Speciale si dhe të zgjedhin një Prokuror Special në detyrë pas arrestimit të Janevës.