Kulturë Zanat dhe shtojzovallet në mitologjinë shqiptare

Zanat dhe shtojzovallet në mitologjinë shqiptare

Shpërndaje

Figura të njohura të përrallave të Shqipërisë së veriut, që përfytyrohen si vajza shumë të bukura e me fuqi mbinatyrshme që duan këngë e valle.

Vendbanimi i tyre i parapëlqyer ishin bjeshkët dhe pyjet e dendura, ku ato e shkonin kohën duke kënduar e vallëzuar.

Quhen edhe Shtozorreshta, Shtozote.

Zana

Zana e malit është krijesë mitologjike shqiptare me veti tepër origjinale autoktone dhe e krahasueshme më tepër me figura të tilla ballkanike dhe malore të popullsive në gadishullin ballkanik dhe është mjaft larg e krahasueshme me Artemidën e grekëve, Dianën e romakëve. Vështirë se mund të shkohet në një krahasim deri te Thana e ilirëve. Sipas traditës, ato kanë dy karaktere: i zbutur, i cili ndihmon kreshnikët në betejat e tyre, dhe karakteri idhnak i cili shiton (nguros) kur iu prishet qetësia. Brirët e dhive të egra janë mbrojtja dhe dobësia e zanave.

Zanat ruajnë territoret e veta me xhelozi edhe shitojnë ata që u prishin qetësinë apo i befasojnë kur janë duke lozur nëpër livadhet e maleve.

Prandaj edhe kur shkohet në mal është traditë të bëhet zhurmë për t’i njoftuar ato për afrimin e njeriut.

Zana është edhe simbol i pjellorisë.