Sport Zanetti: Icardi të zgjidhë problemet me grupin!

Zanetti: Icardi të zgjidhë problemet me grupin!

Javier Zanetti, ish-kapiteni i Interit, aktualisht në rolin e zëvendëspresidentit të klubit zikaltër, ishte i pranishëm për të ndjekur shortin e Europa League në Nion të Zvicrës dhe menjëherë pasi goglat e vendosën Interin përballë gjermanëve të Eintracht Frankfurt, në një intervistë për mediat foli kur kundërshtarin e rradhës në Europë por edhe për çështjen Icardi.

“Mund të jetë pozitiv fakti që sfidën e kthimit do të luajmë në shtëpi vetëm pak ditë para derbit ndaj Milanit. Do të përballemi me një skuadër gjermane shumë të fortë për tu mundur. Duhet të përgatitemi mirë për ta kaluar këtë raund. Ne favoritë për të fituar trofeun? Mendoj që Interi duhet të tentojë gjithmonë të shkojë deri në fund, por ka edhe skuadra të tjera që konsiderohen favorite. Premisat janë për të bërë mirë, por duhet të vazhdojmë të rritemi pasi vetëm kështu mund ta kalojmë këtë raund”.

Më pas si një kapiten, Zanetti u ndal të fliste për Mauro Icardin duke këshilluar në një farë mënyre sulmuesin argjentinas.

“Mendoj që Icardi vazhdon të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për Interin. Shpresoj të kthehet shpejtë në fushë dhe të ndihmojë skuadrën. Kur ka probleme në dhomat e zhveshjes ato duhen zgjidhur brenda grupit dhe nuk duhet të flitet jashtë për to, nëse mundësitë ekzistojnë ky është shansi ideal pasi kështu grupi mund të forcohet akoma edhe më shumë. Më vjen keq për situatën që është krijuar. Janë vetë futbollistët që janë pjesë e grupit dhe këto gjëra duhet të sqarohen sa më shpejtë për të mirën e skuadrës. Asnjë nuk është më i rëndësishëm sesa skuadra. Unë nuk kam folur me Icardin, sepse është mirë të kalojë pak kohë por ai në radhë të parë duhet të flasë me pjesën tjetër të ekipit.

Shiriti i kapitenit është diçka shumë e rëndësishme, këtë gjë e di shumë mirë Bergomi që e ka mbajtur në krah përpara meje dhe unë gjithmonë kam ndjekur shembullin e tij, pasi shiriti i kapitenit do të thotë që ti të jesh një shembull për shokët e skuadrës brenda dhe jashtë fushe”, deklaroi ish-kapiteni.