Politika Zbardhen e-mailet në Qeveri, ministrat e PD sherr me zv.ministrat

Zbardhen e-mailet në Qeveri, ministrat e PD sherr me zv.ministrat

Ministrat teknikë të emëruar nga PD-ja dhe zëvendësministrat apo drejtuesit e administratës, gjatë muajve të bashkëqeverisjes, janë përfshirë në debate të forta brenda tyre. “Panorama” ka siguruar sherrin me e-maile që ka zhvilluar ministrja e Financave, Helga Vukaj me zv.ministren Irena Beqiraj dhe kabineti i ministres me drejtuesit e Tatim-Taksave.

Ministrja Vukaj, në e-maile, ka akuzuar Sekretaren e Përgjithshme, Geraldina Prodani, në shkeljen e urdhrit të saj për moslejimin e drejtuesve të Financave për t’u larguar jashtë vendit pa e vënë në dijeni. Ndërkohë që zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj është përplasur me zv.kryeministren Ledina Mandija për rolin e ministres Vukaj, për të cilën është shprehur se është e paaftë për të drejtuar ministrinë.

Nga konflikti i vazhdueshëm, ministrja Vukaj i ka dërguar dhe një letër konfidenciale kryeministrit Rama, të cilit i ka renditur shqetësimet dhe pengesat që i kanë ngritur zv.ministrat dhe administrata tatimore. “Mungesa e bashkëpunimit arrin deri në mbajtjen peng të të dhënave të numrit të gjelbër të denoncimeve të ardhura që nga data 25.05.2017, apo me fshehjen e informacioneve të tjera, mungesa e njohjes, e cila cenon rëndë arkën e shtetit dhe interesin publik.

Është papërgjegjshmëri që këta zyrtarë shteti arrijnë deri aty sa të konsiderojnë “sekret” dhe vazhdimësinë e axhendës së ministrit apo pjesëmarrjen e tij si autorizuar i Qeverisë dhe shtetit shqiptar në strukturat e larta drejtuese me efekt vendimmarrje në emër e për llogari të interesit publik. Mungon bashkëpunimi dhe kjo është kthyer në fenomen.

Situata bëhet dhe më e papranueshme për shkak të qëndrimeve arrogante, jashtë çdo norme etike, morale dhe qytetare. Vërejmë me shqetësim të thellë që zv.ministrja Irena Beqiraj dhe sekretarja znj. Prodani, po shantazhojnë punonjësit e aparatit të ministrisë duke u kërkuar atyre që të mos japin asnjë lloj informacioni për Kabinetin e Ministrit, me fjali të tipit:

“Do rikthehemi sërish me datë 27 qershor”. Kontrollohet në mënyrë abuzive gjithë posta hyrëse dhe dalëse e ministrit. Zoti Kryeministër, kërkojmë nga ana juaj ndërhyrjen e menjëhershme”, thuhet në letrën e ministres Vukaj.