Kryesore Zbardhen ndryshimet në Kodin Penal: Deri në 8 vite burg për përhapje...

Zbardhen ndryshimet në Kodin Penal: Deri në 8 vite burg për përhapje virusi

Me 88 vota pro, 13 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal. Mazhoranca është tërhequr nga dënimet e ashpra duke pranuar disa nga propozimet e bëra nga Presidenti i vendit, Ilir Meta, për zbutje të dënimeve.

Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi përshëndeti bashkëpunimin mes institucionit të Presidencës dhe Parlamentit.

“Sot gjatë seancës Presidenti duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin mes institucioneve përkatëse President-Parlament, ka shprehur vullnetin e tij ashtu si dhe disa rekomandime të cilat u pasqyruan qartë dhe saktë në ato që parashtroi kryetari i mazhorancës, që i konsultoi edhe me grupet e tjera”, u shpreh kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Ndryshimet në kodin penal: Deri në 8 vite burg për përhapje virusi

Maksimumi i dënimit, nga 15 vite ka shkuar në 8 vite sa ishte propozuar më herët dhe kjo masa do të merret kur sëmundja infektive të përhapet me qëllim dhe të këta pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e njerëzve.

“Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vit.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar  ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet.

Neni 89/b

Përhapja e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës I sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.

Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet”.