Aktualitet Zbardhen vrasjet e Runajt dhe Ramazanit në Elbasan, arrestohen të dyshuarit

Zbardhen vrasjet e Runajt dhe Ramazanit në Elbasan, arrestohen të dyshuarit

Regis Runaj (majtas) dhe Emiljano Ramazani

Policia e Elbasanit ka mundur të zbardhë vrasjen e të riut Regis Runaj mbrëmjen e 29 Korrikut në Elbasan. Në pranga kanë rënë dy persona, Xhulion Hoxha, 29 vjeç dhe Euglen Halili, 23 vjeç, të dy banues në Elbasan. Sipas uniformave blu, dy të rinjtë janë të përfshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit më 20 Korrik pasi kanë ndjekur lëvizjet e tij.

29-vjeçari dhe 23-vjeçari janë arrestuar mëngjesin e sotëm në kuadër të operacionit të koduar “Shkumbini”. Nga hetimet ka rezultuar se ata dhe Runaj mbrëmjen e ngjarjes kanë qenë sëbashku.

Pasi kanë konsumuar lëndë narkotike në një park në afërsi të varrezave të qytetit ata janë drejtuar për në Elbasan. Në afërsi të varrezave, 23-vjeçari E.H., e ka goditur Runajn një herë me thikë nga mbrapa shpinës dhe më pas e ka goditur edhe 26 herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia thotë se ka gjetur dhe sekuestruar prova shkencore që provojnë autorësinë e kësaj ngjarje. Në duart e autoriteteve ka rënë një motor, ku u gjetën njolla gjaku. Pas ekzaminimit në laboratorin shkencor rezultoi se ato i përkasin viktimës. Nën sekuestrim është vënë edhe një shumë eurosh.

Por hetimet kanë zbuluar se dy të rinjtë ishin përshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit. Ata kanë kontrolluar lëvizjet e viktimës kundrejt pagesës nga persona të tjerë. Për zbulimin e tyre, policia thotë se po vijon punën.

Emiljano Ramazani humbi jetën më 20 Korrik. Ai u qëllua në makinën e tij. 10 ditë më vonë u vra Runaj. Viktimat kishin miqësi me njëri-tjetrin.

Për vrasjen e Ramazanit janë arrestuar edhe dy persona të tjerë. Në pranga janë vendosur babë e bir, Albert Manehasa 64 vjeç dhe Selim Manehasa, 37 vjeç. Policia ka arritur të zbulojë edhe armën me të cilën u krye ekzekutimi. Emiljano Ramazani dyshohet se u vra për shkak të konflikteve për drogën.