Aktualitet Zbardhet dokumenti i Prokurorisë: Ervis Martinaj u vra, u fut në kurth...

Zbardhet dokumenti i Prokurorisë: Ervis Martinaj u vra, u fut në kurth nga një femër

Indiciet e pakta dhe hipotezat e shumta për fatin e ish-bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj kanë ngritur një thashethemnajë mediatike, që deri tani institucionet nuk kanë arritur ta qartësojnë.

Lapsi.al shkruan se disponon të vetmin dokument që jep versionin zyrtar të prokurorisë mbi fatin e 40-vjeçarit, ku caktohet masa e arrestit të Jeton Lamit, efektivit të operacionales që shoqëronte Martinajn.

Që në rreshtat e parë, prokuroria shkruan se Martinaj është rrëmbyer dhe është vrarë nga persona të paidentifikuar, pasi u fut në kurth nga një femër.

“Më datë 10.08.2022 shërbimet e policisë gjyqësore te DVP Lezhe, dhe të Komisariatit te Policisë Kurbin, kanë marrë informacion nga një burim konfidencial se shtetasi Ervis Mustafa Martinaj i datëlindjes 6.10.1982, lindur në Burrel dhe banues ne Fushë- Kuqe, Kurbin, dyshohet se është rrëmbyer dhe ekzekutuar nga kundërshtarët e tij, pasi është tradhëtuar e nxjerrë në pritë nga një femër në proces verifikimi.

Sipas të dhënave të administruara në rrugë operative, dyshohet se shtetasi Ervis Martinaj, mund të jetë rrëmbyer në qytetin e Durrësit dhe më pas të jetë vrarë, nga persona të paidentifikuar” shkruan prokurori në dosjen, ku përmend edhe denoncimin e familjarëve.

Ata i referohen dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe konfliktit që sipas tij ekzistonte me Indrit Doklen mes dy grupeve kriminale. Në kallëzimin penal, njësoj si xhaxhai edhe babai i Ervis Martinajt përmendin Indrit Doklen si të dyshuarin kryesor për ngjarjen.

“Shprehet se dyshon se zhdukja e tij ka lidhje me grupe kriminale dhe individe qe i ka perfshire Dumani, ku ne kete histori eshte edhe Indrit Dokle, i cili mund te kene organizuar gjithcka lidhur me zhdukjen e nipit, Ervis Martinaj. Në vijim ne lidhje me kallzimin ne fjale eshte pyetur edhe vete babai i Ervisit, shtetasi Mustafe Martinaj.

Ai ka deklaruar se per here te fundit me djalin ka kontaktuar nje njeriu i tij i afert, ne oren 19.30 te adtes 09.08.2022. Pas kesaj ore ai nuk ka qene ne linje. Zhdukja e tij sipas mendimit te tij, i takon ores 19.30 deri ne oren 22.00 te dates 09.08.2022. Deklaron se nuk ka dijeni per vendin dhe njerezit ge kane marre pjese dhe se ku. I afermi qe ka kontaktuar djali i tij, nuk ndodhet ne Shqiperi dhe me sa ka dijeni djali nuk ka numer shqiptar.

Thekson se zanafilla e kesaj ngjarje lidhet me shpalljen e Ervisit ne kerkim per krime te trilluara nga Dumani. Sqaroj se nderprerjen e komunikimit dhe te zhdukjes se djalit time kam marre vesh nga i afermi im i cili jeton jashte shtetit. Shprehet se dyshon se Ervisit mund ti kete ndodhur dicka e keqe nga grupe kriminale” thuhet në dosje.

Ervis Martinaj është konsideruar një nga bosët e lojërave të fatit dhe një nga pistat e dyshuara është se ai u vra për të kapur tregun e basteve. Kaluan disa ditë nga zhdukja e Martinajt dhe qeveria njoftoi se bastet do të hapen sërish sepse tregu i kumarit ishte e pamundur të zhdukej./Lapsi.al