Politika Zbardhet kallëzimi i PD për zgjedhjet: 7 pika që rrëzojnë 30 qershorin...

Zbardhet kallëzimi i PD për zgjedhjet: 7 pika që rrëzojnë 30 qershorin dhe 8 vepra penale

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i është drejtuar me një letër kryeprokurores Arta Marku, ku i kërkon që të mos pengojë hetimet për krimet zgjedhore, të pretenduara nga opozita, të ndodhura më 30 qershor. Kjo letër i është dërguar edhe shefes së Misionit të ODIHR, Audrey Glover.

Sipas PD-së, këto janë 7 pika kyçe që rrëzojnë si të paligjshëm 30 Qershorin:

Moszbatimi i dekreteve të Presidentit me pasojë cenimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur.

Regjistrimi i Bindjes Demokratike në kundërshtim me ligjin.

Cënimi i të drejtës së opozitës për të marrë pjesë në administrimin e zgjedhjeve

Mashtrimi dhe manipulimi me të dhënat e pjesëmarrjes në votimet e 30 Qershorit.

Fletët e votimi “kontrabandë” për votimet në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Emërimi i komisionerëve në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ.

Krimet zgjedhore në të gjithë territorin: blerja e votave, fshehtësia e votës, presioni në administratë etj.

Po sipas PD-së, të gjitha këto indicie janë të shpjeguara me detaje për shkeljet ligjore të konsumuara gjatë, para dhe pas 30 Qershorit. Ato përfshijnë 8 vepra penale dhe të gjitha bashkë dënohen nga 31-45 vjet burg:

Shpërdorimi i detyrës

Fallsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve

Shkelja e fshehtësisë së votimit

Votimi më shumë se 1 herë ose pa u identifikuar

Korrupsioni aktiv në zgjedhje

Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore

Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit

Në letrën dërguar kryeprokurores Arta Marku, Bardhi e identifikon atë si një mekanizëm frike që përdoret nga pushteti kundër prokurorëve për të mos hetuar krimet zgjedhore dhe krimet e tjera të qeverisë Rama.

“Ju, jeni provuar në mënyrë të vijueshme, si zyrtari publik që, për llogari të pushtetit të shefit tuaj politik, Edi Rama, ushtroni presion të paligjshëm nëpërmjet transferimeve të paligjshme, vlerësimeve negative profesionale për efekt të vettingut, inspektimeve disiplinore etj. në mënyrë që prokurorët t’i binden urdhrave dhe porosive të paligjshme”, thuhet ndër të tjera në letër.