Kryesore Zbardhet SMS-ja e Ramës për bashkitë: Nuk dua injorantë dhe feudalë, të...

Zbardhet SMS-ja e Ramës për bashkitë: Nuk dua injorantë dhe feudalë, të mos kemi llafe për këtë

Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë, drejtuesve politikë të Partisë Socialiste, ku thekson se, përveç se nuk duhet të ketë batakçinj e feudalë partish nëpër bashki, si i quan ai, por ka qenë tepër i qartë edhe në lidhje me zgjedhjet e 2021. Sipas tij, drejtuesit e PS duhet të bëjnë gjithçka që partia të fitojë për Shqipërinë në qershor 2021.

Rama përmes mesazhit të tij jep porosi të qartë se, kandidaturat që do të propozohen për stafin politik të PS, të jenë me njerëz të ditur, të edukuar, e të respektuar.

Mesazhi i plotë i Ramës:

“Në mbledhjen e KD në fund të gushtit, duhet të sillni propozimet për stafin politik, dmth nënkryetarët dhe administratorët (minimumi dy propozime). Një nënkryetar duhet të jetë medoemos grua dhe kjo vlen edhe për bashkitë e majta – kush s’e ka do ta gjejë e ta vendose!

Profili i administratoreve duhet të jetë PROFIL SHERBETORI I KOMUNITETIT, jo profile të fortësh, injorantësh, batakçinjsh, feudalesh partiake! Zgjedhja e tyre duhet të mirëpritet jo thjesht nga partia e zonës, po nga komuniteti i zonës dhe më mirë të mërzitet partia se sa komuniteti! Mbajeni parasysh që nuk kam për të pranuar kandidatura nga ato tipiket që dredhin zinxhir se medemek marrin vota! Mos kemi llafe për këtë ju lutem.

Po ashtu një raport për drejtorët aktuale në bashkitë e djathta, formimi profesional, niveli i militantizmit, lidhjet nepotike dhe niveli i punës së tyre konkrete në bashki. Po ashtu, një listë propozimesh (minimumi dy për një vend) për zëvendësues eventuale, mundësisht të konsultuar paraprakisht me deputetët, ASNJË LEVIZJE DERI ATE DITE!

Njëkohësisht, secili të përgatisë edhe një raportim të përmbledhur të situatës, nevojave, problemeve kryesore.

Këto për momentin.

Datën dhe një axhendë të plotë të takimit do ta merrni nga Sekretari për koordinimin e Këshillave Drejtues të Rajoneve, Ilir Beqja.

Kalofshi sa me mire!

Edhe një merak paraprak që mos i ngrini mendjen kujt:

Asnjë nga ata që kanë qenë kryetare komunash përpara 2015 në bashkitë e djathta, mos ma sillni propozim për administrator! Janë të nderuar e të respektuar për kontributet e tyre, po mos harroni mesazhin e 30 qershorit, populli, pavarësisht kush ka votuar e kush jo, nuk e ka mbështetur rrugën që zgjodhëm për të majtën, po PËR TË DREJTËN! Kjo do të thotë ndër të tjera se jo vetëm s’duhet të japim shenja që lexohen si mbyllje brenda gardhit tonë, po duhet të bëjmë çmos që shenjat që japim me vendimet tona, të kuptohen si vullnet hapjeje e gjithëpërfshirjeje – me njerëz të ditur, të edukuar, të respektuar, të cilët mund të mos kenë sjellë vota, sepse nuk kanë qenë të angazhuar direkt për shkak të mbylljes së partisë ndër të tjera, por që mund të na sjellin shumë më tepër vota në 2021-shin, se sa të tjerë që duken sikur janë të vetmit po nuk janë!

Dhe mos e harroni:

PS fitoi per ju në 30 qershor. Ju duhet të bëni gjithçka që PS të fitojë për Shqipërinë në qershor 2021! Kjo është në themel të krijimit të Këshillave Drejtues të Rajoneve!”/abcnews