Kryesore Zbardhet takimi i Bashës me ambasadorin Lu

Zbardhet takimi i Bashës me ambasadorin Lu

Partia Demokratike ka zbardhur takimin e kryetarit Lulzim Basha me ambasadorin Donald Lu.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të PD thuhet se “Basha i përcolli  ambasadorit amerikan Donald Lu kundërshtimin e prerë të Partisë Demokratike për zgjedhjen antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm”.

Në njoftim theksohet se për PD-në, zgjedhja e Prokurores së Përkohshme, ishte antikushtetuese.

Sipas selisë blu, Basha i bëri të qartë ambasadorit amerikan se “mos krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga parlamenti, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, zgjedhja e prokurores pa kaluar vetingun, janë puç antikushtetues i cili ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin”.

Gjatë bisedës me ambasadorin amerikan, Basha ka deklaruar se “të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën”.

Sipas njoftimit të PD, Basha theksoi se “interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre”.

“Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim.

Kryetari i opozitës e siguroi ambasadorin Lu se në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të”, mbyllet deklarata e PD.

Ndërkohë që nuk ka pasur ende një njoftim zyrtar nga ambasada amerikane për takimet që zhvilloi sot Donald Lu me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin.