Kryesore Zbardhet takimi i kryeministrit Rama me sekretarin amerikan Pompeo

Zbardhet takimi i kryeministrit Rama me sekretarin amerikan Pompeo

Departamenti Amerikan i Shtetit jep detaje nga takimi që sekretari Mike Pompeo zhvilloi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në njoftim për shtyp të DASH thuhet se sekretari Pompeo riafirmoi mbështetjen e SHBA për synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. Pompeo bisedoi me Ramën dhe për reformën në drejtësi, atë zgjedhore dhe NATO-n

“Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Washington. Sekretari Pompeo dhe kryeministri Rama diskutuan rreth prioriteteve gjatë kryesimit të OSBE nga Shqipëria. Sekretari ritheksoi mbështetjen e fortë të SHBA për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

Sekretari përgëzoi Kryeministrin për përkushtimin e palëkundur të qeverisë së tij ndaj ndarjes së barrës së NATO-s, për reagimin kundër veprimtarisë dashakeqe të Iranit dhe për ndërmarrjen e një roli udhëheqës rajonal në mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit të gjeneratës së ardhshme”, shkruhet në njoftimin e DASH.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale për të dhënë detaje nga takimi me zyrtarin e lartë amerikan, Mike Pompeo.

“Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Edi Rama në Facebook.