Aktualitet Zbardhet vrasja e policit Xhulio Prela, shpallen në kërkim dy persona

Zbardhet vrasja e policit Xhulio Prela, shpallen në kërkim dy persona

Dy javë pas ekzekutimit të efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Xhulio Prela, Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen, ndërsa ka identifikuar autorët dhe ka shpallur në kërkim dy persona.

Burime nga Policia bëjnë me dije se, vrasja e 26-vjeçarit në rrugën Lezhë-Laç ka ardhur pas një konflikti të çastit mes tij dhe autorëve, emrat e të cilëve nuk bëhen ende publik për shkak të sekretit hetimor.

Për identifikimin e tyre hetuesit janë ndihmuar nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë të bizneseve në zonën ku u vra i riu. Mësohet se, fillimisht është identifikuar makina dhe më pas policia ka shkuar tek autorët duke i shpallur ata kërkim.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 5 Dhjetorit, në kohën që Prela po kthehej nga Shkodra nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia. Ai u qëllua me një plumb në zemër që i shkaktoi edhe vdekjen, ndërsa ishte duke drejtuar automjetin e tij tip Wolkswagen.

Në fillim u dyshua për një vrasje që lidhej me detyrën e tij, por duket se shkak është bërë një konflikt i çastit mes Prelës dhe autorëve.