Ekonomi Zbehet “miti” i turizmit, BSH: Kontributi real ishte i ulët

Zbehet “miti” i turizmit, BSH: Kontributi real ishte i ulët

Deficiti i ekonomisë shqiptare në mallra dhe shërbime u rrit me 6.5% në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e deficitit në terma reale ka qenë një nga faktorët që sollën ngadalësimin e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë të vitit.

Rritja e të ardhurave nga turizmi dhe nga eksporti i shërbimeve të tjera, në fakt, nuk ka dhënë kontributin e pritshëm në rritjen ekonomike, për shkak të efektit inflacionist.

Niveli i lartë i deflatorëve të eksportit, si të mallrave, ashtu edhe të shërbimeve, ka bërë që rritja reale e eksporteve të jetë më e ulët krahasuar me atë nominale.

E kundërta ka ndodhur me importet, ku deflatorët kanë qenë në vlera negative, duke bërë që importet reale të jenë më të larta krahasuar me ato në vlerë nominale.

Deflatori përfaqëson raportin mes prodhimit real, që matet me çmimet e një viti bazë, kundrejt prodhimit nominal, që matet me çmimet korrente të tregut.

Sipas të dhënave nga bilanci i pagesave, në tremujorin e tretë 2017 të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga turizmi ishin rreth 588 milionë euro, në rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por, në analizën e Bankës Qendrore, kjo rritje ka ardhur në një masë të madhe nga rritja e çmimeve dhe nuk reflekton plotësisht rritjen e sektorit, që në terma realë ka qenë më e ulët.

Bazuar në numrin e vizitorëve, turizmi hyrës i shtetasve të huaj për vitin e kaluar rrit me rreth 8%.

Por, treguesit ekonomikë realë dëshmojnë se ky sektor ka kontribuar më pak nga sa mendohej në ekonominë e vendit, raporton Scan.