Extra Zbulimi i shkencëtarëve: Pandat dikur jetonin në këtë vend të Ballkanit

Zbulimi i shkencëtarëve: Pandat dikur jetonin në këtë vend të Ballkanit

Shkencëtarët zbuluan se mbetjet e dhëmbëve të gjetura në rajonin lindor të Evropës i përkasin një të afërmi të ngushtë të pandave të sotme, të cilat banonin këtu rreth 6 milionë vite më parë.

Dhe ky rajon është pikërisht Bullgaria e sotme.

Bazuar në madhësinë dhe formën e dhëmbëve të gjetura në vitet 70, shkencëtarët vlerësuan se specia ishte afërsisht e njëjtë ose pak më e vogël se pandat e sotme, dhe se panda e lashtë ndoshta jetonte në një pyll moçal, raporton revista “Science Alert”.

Një rindërtim artistik i pandës së lashtë

Ndryshe nga nofullat e pandave moderne, dhëmbët e fosilizuar që janë gjetur nuk duken të kenë qenë mjaft të fortë për të copëtuar kërcellin e drurit të bambusë.

Shkencëtarët besojnë se kjo mund të provojë se ata ishin të përshtatshëm për ushqim më të ashpër gjë që i përshtatet supozimit se pandat moderne evoluan nga arinjtë mishngrënës.

“Konkurrenca e mundshme me speciet e tjera, veçanërisht mishngrënësit, shpjegon pse pandat gjigante filluan të ushqehen kryesisht me ushqime bimore në kushte të lagështa pyjore,” tha paleontologu Nikolay Spasov i Muzeut Kombëtar të Historisë Natyrore të Bullgarisë.

Studimet e mëparshme kanë treguar se i afërmi më i mundshëm i pandave gjigante moderne ka jetuar në Kinë tetë milionë vjet më parë, megjithatë, dhëmbët e fosilizuar të krijesave të ngjashme me pandat u zbuluan gjithashtu në Bullgari dhe janë dy milionë vjet më të rinj.

I quajtur Agriarctos nikolovi sipas paleontologut bullgar Ivan Nikolov i cili katalogoi për herë të parë dhëmbët në vitet 1970-të, kjo specie e përshkruar rishtazi mund të jetë një nga pandat e fundit në Evropë.