Bota Zbulohen 6 raste të reja me Covid, Kina do të testojë qytetin...

Zbulohen 6 raste të reja me Covid, Kina do të testojë qytetin me 9 milionë banorë

Kina ndërmori sot një fushatë masive depistimi të metropolit të Qingdaos (nëntë milionë banorë), pas zbulimit të gjashtë rasteve të reja me COVID-19, theksuan autoritetet shëndetësore.

Vendi aziatik, ku u shfaq koronavirusi për herë të parë në fund të vitit 2019, ka frenuar që prej disa muajsh epideminë në sajë të kontrolleve strikte, mbajtjes së përgjithshme të maskës, masave kufizuese dhe aplikimit të gjurmimit.

Në shkallë kombëtare, vetëm disa të sëmurë janë regjistruar çdo ditë, pothuajse të gjithë kinezë të kthyer nga jashtë dhe të vendosur në karantinë që prej mbërritjes.

Por, zbulimi të dielën në Qingdao i gjashtë rasteve me koronavirus me origjinë lokale ka rritur frikën për një rishfaqje të epidemisë.

Sipas autoriteteve lokale të shëndetit, të gjithë njerëzit e infektuar duket se kanë lidhje me një spital në qytet që trajton pacientë me COVID-19. Por fokusi i infeksionit nuk dihet ende.

Autoritetet vendore kanë njoftuar se testimi i plotë i popullatës së qytetit do të bëhet brenda 5 ditësh.