Sport Zbulohen bisedat e përdhunimit të vajzës shqiptare, Santosi i prish kontratën Robinhos

Zbulohen bisedat e përdhunimit të vajzës shqiptare, Santosi i prish kontratën Robinhos

Klubi brazilian i Santosit raportoi se ka prishur kontratën me Robinhon, për shkak të presionit të madh nga fakti që sulmuesi është dënuar për dhunë seksuale në Itali, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2013, kur luante me Milanin.

“Santos dhe Robinho raportojnë se, me marrëveshje të përbashkët, vendosën të pezullojnë vlefshmërinë e kontratës së nënshkruar më 10 tetor në mënyrë që lojtari të përqendrohet ekskluzivisht në mbrojtjen e tij në procesin që zhvillohet në Itali”, shkruan klubi në rrjetet sociale.

Ish-lojtari i Real Madridit, Manchester City-t dhe Milanit u dënua në vitin 2017 me nëntë vite burg nga Gjykata e Milanos për përfshirjen e tij në përdhunim në grup të një vajze të re 23-vjeçare me origjinë shqiptare. Ngjarja ndodhi në vitin 2013 në një klub nate në qytetin italian.

Robinho, 36-vjeç, foli me keqardhje për prishjen e kontratës, duke u shprehur se qëllimi i tij “ishte gjithmonë të ndihmonte Santosin. Nëse po prish punë në ndonjë mënyrë, është më mirë që të largohem dhe të përqendrohem në punët e mia personale. Do të provoj pafajësinë time për tifozët dhe ata që më mbështesin.”

Santosi njoftoi një javë më parë se kishte siguruar shërbimet e sulmuesit anësor, i cili nënshkroi një pagë simbolike në bazë të së cilës do të përfitonte 265 dollarë në muaj, pak më shumë se paga minimale në Brazil. Sidoqoftë, nënshkrimi i tij u kundërshtua fort nga disa menaxherë dhe sponsorë të klubit të São Paulos.

Të mërkurën e kaluar, kompania “Orthopride” njoftoi nëpërmjet një qëndrimi zyrtar se po tërhiqej nga sponsorizimi i klubit “në respekt të grave” që konsumojnë produktet e saj. Kjo dalje u pasua nga kërcënimi i sponsorëve të tjerë për të lënë klubin. “Qershia mbi tortë” u vendos këtë të premte nga portali “GloboEsporte”, që publikoi transkriptimet telefonike, që drejtësia italiane përdori për të dënuar Robinhon për dhunë seksuale.

Në një nga ato biseda, muzikanti Jairo Chagas, i cili performoi në vendin e ngjarjes natën e përdhunimit në grup, i shprehu Robinhos shqetësimin e tij në lidhje me ecurinë e hetimit, por lojtari brazilian i është përgjigjur: “Unë  po qesh dhe nuk më intereson fare, sepse ajo ishte plotësisht e dehur, as nuk e di se çfarë ka ndodhur”.

Në një telefonatë tjetër, Robinho pranoi që ai “provoi” marrëdhënien me viktimën, ndërsa muzikanti i kujtoi: “Të pashë kur i vure penisin në gojën”, ndërsa sulmuesi iu përgjigj se “kjo nuk do të thotë se ia bëra”.

Përveç Robinhos, për këtë ngjarje është dënuar edhe miku i tij, Ricardo Falco. Në një tjetër përgjim, Robinho fliste me mikun e tij se si të jepnin të njëjtin variant në gjykatë, pasi sipas tyre në diskotekë nuk kishte kamera sigurie.

Katër brazilianë të tjerë gjithashtu thuhet se morën pjesë në aktin që u klasifikua nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Milanos si “dhunë seksuale”, por ata u larguan nga Italia gjatë hetimeve dhe, për këtë arsye, po gjykohen veçmas.