Kulturë Zbulohen në Hot gjurmët e një prej kishave më të vjetra në...

Zbulohen në Hot gjurmët e një prej kishave më të vjetra në Ballkan

Në skajin më verior të Shqipërisë në kufi me Malin e Zi janë zbuluar  gjurmët e një kishe që i përket periudhës paleokristiane të shekullit të V.

Zbulimi është bërë në fshatin Hot të Malësisë së Madhe, ku kanë qenë  banorët e zonës të cilët e kanë përcjell brez pas brezi një informacion të tillë, se diku në atë zonë që dikur e ka patur toponimin Kirza, ka pas ekzistuar një kishë.

Ky zbulim vlerësohet si mjaft i rëndësishëm si tregues i identitetit kulturor dhe fetar të Shkodrës dhe zonës përreth.

“Kemi të bëjmë me një kishë paleokristiane, e cila e ka fillesën e saj në fundin e shekullit të V, dhe në gjysmën e parë të shekullit të VI, pra flasim për 15 shekuj vjet. Është ndër kishat më të vjetra në Shqipëri dhe në rrafshin e Ballkanit”, deklaroi arkeologu Gëzim Hoxha.

Arkeologu Gëzim Hoxha

Zbulim pritet të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit kulturor të zonë së Hotit, pasi prova të tilla të kishave kaq të vjetra janë thuajse të pamundura të gjenden në rajonin e Ballkanit.