Kuriozitete Zbulohen yjet kanibale

Zbulohen yjet kanibale

Zbulohen yjet kanibale, por natyrisht jo në sistemin tonë diellor. Bëhet fjalë për yje që gllabërojnë planetet e tyre, dhe përbëjnë një pjesë të madhe, rreth një e treta e yjeve të ngjashme me Diellin dhe që janë pjesë e sistemeve binare. Gjurma kimike e këtyre katastrofave kozmike, është zbuluar nga Instituti Kombëtar Italian dhe puna studimore është publikuar në Nature Astronomy.

Sipas tyre, procesi i kanibalizmit planetar nuk verifikohet në sistemin tonë diellor, pasi Dielli i mban në mënyrë të qëndrueshme planetët e tij dhe në orbita të rregullta, gjë që ka favorizuar edhe jetën.

Kërkimi është kryer mbi 107 sisteme binare, pra me dy yje, dhe planetë që rrotullohen rreth tyre. Gjatë orbitimit ndodh që këta të fundit përthithen nga njëri prej yjeve duke modifikuar edhe përbërjen kimike të vetë yllit, duke e ngarkuar me elementë më të rëndë si litiumi dhe hekur.

Zbulimi është mjaft i rëndësishëm dhe ekspertët shprehen se deri më sot dihej se sistemet binare shfaqin disa anomali, por asgjë specifike. Megjithatë i hapet rruga studimeve të tjera më të gjera në eksplorimin e ekzoplanetëve dhe sistemeve të tjera planetare.