Sport Zbulohet arsyeja pse u ngatërrua himni i Shqipërisë në Francë

Zbulohet arsyeja pse u ngatërrua himni i Shqipërisë në Francë

Incidenti i djeshëm me ngatërrimin e himnit të Shqipërisë me atë të Andorrës ka qenë kolektiv dhe jo vetëm i Federatës Franceze të Futbollit. Ndeshja Francë-Shqipëri e vlefshme për kualifikueset e EURO 2020 filloi 7 minuta me vonesë pasi në fillim kur kombëtarja shqiptare e futbollit duhet të këndonte himnin e saj, në sfond u shfaq himni i Andorrës pa u ndërprerë. Më pas vijoi ai francez ndërkohë tifozët shqiptarë në Stade de France duke e marrë si provokim të rëndë nisën të ofendonin dhe fërshëllenin.

Por e gjitha ka qenë një ngatërresë edhe pse ndodhi në një nga stadiumet dhe shtetet më të rëndësishme të botës. Këtë e ka zbuluar një media sportive franceze, RMC Sport. FFF ka një shërbim protokoll që bashkëpunon ngushtë me marketingun në menaxhimin e organizimit të një takimi ndërkombëtar, miqësor ose zyrtar.

Dhe përsa i përket himneve të skuadrave mike, shërbimet e Federatës Franceze të Futbollit i marrin nga UEFA nëpërmjet shërbimeve postare. Por shërbimeve të FFF i kanë ardhur dy emaile sipas RMC Sport. Një për Shqipërinë dhe një për Andorrën pasi Franca të martën pret në të njëjtin stadium kombëtaren e Koldo Alvarez.

Dhe për ironi të fatit është hapur himni i Andorrës dhe jo ai i Shqipërisë. Kjo ka ndodhur pasi në stafin e agjensisë ka pasur një moment konfuzioni dhe gabimi është kryer nga një person, cili gabimisht hapi himnin e Andorrës. Trajneri Didier Deschamps deklaroi se gabimi me himnin nuk duhet të ndodhë më ndërsa dhe vetë Presidenti francez i ka kërkuar ndjesë Edi Ramës, ndjesë e cila është pranuar nga kryeministri i Shqipërisë.

Por një gafë e dytë e cila ka mbetur e pashpjeguar. është se Shqipërisë nuk iu kërkua falje në fillim, por spikeri tha “I kërkojmë falje Armenisë”. Duke bërë që tifozat kuqezinj që ndodheshin në Saint Denis të shpërthenin në fërshëllima.