Kryesore Zbulohet çfarë thuhet në vendimin e qeverisë për Zharrëzin

Zbulohet çfarë thuhet në vendimin e qeverisë për Zharrëzin

Qeveria vendosi të dëmshpërblejë në masën 100% banorët e Zharrëzit që prej më shumë se 6 muajsh kërkojnë të drejtën e tyre pas dëmtimeve nga kompania Bankers Petroleum.

Në mbledhjen e së mërkurës paradite qeveria vendosi të ngrejë grupeve ndërinstitucionale të punës brenda 5 ditëve për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e lëkundjeve të tokës.

Pjesë e këtyre grupeve do të jenë përfaqësues nga Enti Kombëtar i Banesave; ALUIZNI dhe bashkitë Patos dhe Roskovec. Grupet ndërinstitucionale të punës drejtohen nga përfaqësues të Entit Kombëtar të Banesave, të cilët koordinojnë gjithë procesin e vlerësimit e të përpunimit elektronik të dokumentacionit.

Vendimi i qeverisë parashikon edhe mënyrën si do të kryhet vlerësimi i dëmeve.

Brenda 30 ditëve, nga ngritja e Grupeve të punës përgatisin listën përfundimtare emërore të kryefamiljarëve me banesa të shkatërruara plotësisht apo me dëmtime të rënda, shoqëruar me vlerën e dëmit përkatës. Masa e ndihmës financiare do të jetë 100 për qind e vlerës së dëmit të shkaktuar, e cila paguhet menjëherë.

Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i shtetit dhe i angazhimit të kompanisë Bankers Petroleum Albanian (BPAL), sipas marrëveshjes hidrokarbure me ministrinë e linjës.

Për kategoritë e tjera të dëmtimeve në banesa, afati i vlerësimit nga GNP-të është 4 muaj, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Listat emërore përfundimtare të kryefamiljarëve, me vlerat përkatëse të dëmeve, sipas pikave 4 e 6, të këtij vendimi, konfirmohen nga Enti Kombëtar i Banesave dhe dërgohen pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Urban, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, institucioni i Prefektit të Qarkut Fier si dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.