Aktualitet Zbulohet një “shtëpi bari” në Durrës, në pranga edhe dy elektricistë

Zbulohet një “shtëpi bari” në Durrës, në pranga edhe dy elektricistë

Foto ilustruese

Tre persona janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për kultivim të bimëve narkotike. Bëhet fjalë për Valter Greca 32 vjeç dhe Andi Dashi (Greca), 27 vjeç, banues në Hardhishtë të Shijakut dhe një elektricist i OSHEE, 40-vjeçari Idajet Greca, të cilët dyshohet se janë autorë në kultivimin e bimëve narkotike.

“Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, bënë shpalljen në kërkim për veprat penale “Kultivim të bimëve narlotike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhje të energjisë elektrike”, të shtetasve:V. G., 32 vjeç, A. D. (G)., 27 vjeç, të dy banues në Hardhishtë, Shijak. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi I. G., 40 vjeç, banues në Hardhishtë, Shijak, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, pasi dyshohet se është bashkautor në kultivimin e bimëve narkotike”, njofton policia.

Ata u shpallën në kërkim pasi gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e 27-vjeçarit, u zbulua se ata e kishin përshtatur ambientin me aparatura që shërbejnë për kultivimin e kanabisit. Po ashtu ata kishin ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bimë kanabis sativa dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e tyre.

Por puna e policisë ka vijuar dhe ka arrestuar për shpërdorim detyre dy punonjës të tjerë të OSHEE-së. Bëhet fjalë për Ervin Stafë dhe Xhavit Istrefin, përkatësisht faturist dhe elektricist që sipas policisë nuk kanë përmbushur detyrën dhe nuk kanë kontrolluar linjën elektrike si dhe matësin e energjisë.

“Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit E. S., 39 vjeç dhe Xh. I., 25 vjeç, banues në Shetel dhe Romanat, me detyrë faturist dhe elekticist pranë OSHEE-së. Të dy këta shtetas, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën (duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike)”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.