Kryesore Zbulohet tuneli i kultivimit të kanabisit në Krujë

Zbulohet tuneli i kultivimit të kanabisit në Krujë

Një tunel që dikur ka qenë i ushtrisë, ishte përshtatuar për kultivimin e kanabisit. Tuneli është gjetur në zonën e mbrojtur mjedisore Krastë të Krujës, i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 390 bimë kanabis, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Tre persona, si të dyshuar për këtë veprimtari, u arrestuan gjatë aksionit të policisë; H. S. 61 vjeç dhe R. H., 58 vjeç, të dy banues në banues Halil, Krujë, si dhe A. S. 21 vjeç, banues Fushë Krujë. Nga hetimet rezultoi se A. S. ushtronte edhe veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.

Policia vuri në pranga edhe dy elektriçistë të OSHEE, O.F. dhe E.H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia konstatoi se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së, S. K., me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së (i arrestuar dhe më parë për këtë paligjshmëri) dhe E. K., me detyrë elektriçist i zonës.

Vijon puna hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektike”, “Organizimi i lojërave të fatit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.