Extra Zbuloni makinën që nxjerr këmbët aty ku nuk bëjnë punë rrotat

Zbuloni makinën që nxjerr këmbët aty ku nuk bëjnë punë rrotat

Ndonjëherë, sado e mirë të jetë një makinë “fuoristradë”, ka ca vende ku as ajo nuk futet dot. Për të zgjidhur këtë problem të të pasionuarve pas terreneve të vështira, Hyundai ka menduar një zgjidhje novatore dhe, me shpresë, edhe fitimprurëse.

Kompania koreano-jugore Hyundai ka prodhuar një model në miniaturë, të quajtur TIGER X-1, rrotat e të cilit, secila me nga një motor elektrik, shndërrohen në këmbë. Mjeti mund të udhëtojë si çdo makinë tjetër deri kur terreni ta lejojë, ndërsa për sipërfaqet më të vështira, këmbët shfaqen si me magji dhe bëjnë të mundur kapërcimin e pengesave.

Hyundai mendon që këto këmbë të vihen në përdorim për makinat e skuadrave të shpëtimit në rast fatkeqësish natyrore apo tërmetesh. Megjithatë, deri tani, mjeti nuk parashikohet të mbajë njerëz, por vetëm furnizime.

Modeli TIGER (Transforming Intelligent Ground Excursion Robot) mund të lidhet edhe me një dron, çka do të mund t’i japë “krahë” për të arritur edhe në zona akoma më të largëta e të vështira. Koncepti është i ngjashëm me një tjetër model, Hyundai Elevate, i prezantuar në një panair në vitin 2019. Ai koncept është parashikuar të mbajë edhe njerëz.

TIGER do të kërkojë të paktën 5 vite për prodhim dhe testim, para se të dalë në përdorim të gjerë, sipas Hyundai-t. Ndërsa modeli që mban edhe njerëz mund të dojë më shumë kohë.