Bota “Zbusni menjëherë kufizimet”, BE ultimatum vendeve anëtare për ndalimet kufitare

“Zbusni menjëherë kufizimet”, BE ultimatum vendeve anëtare për ndalimet kufitare

Bashkimi Europian u ka shkruar gjashtë vendeve anëtare duke u kërkuar të zbusin menjëherë kufizimet e njëanshme kufitare, që kanë vendosur për të luftuar Covid-19.

Brukseli thotë se nevojitet një qasje më e lehtë për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve brenda bllokut. Marrë shkas nga konstatimi, Komisioni Europian u ka dhënë afat 10 ditë Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Gjermanisë, Hungarisë dhe Suedisë, që të justifikojnë kufizimet.

Zyrtarët në Bruksel thanë se këto shtete kanë shkuar shumë larg me masat e vendosura, dhe theksuan nevojën e lëvizjes së lirë dhe shmangien e rregullave diskriminuese.

“Komisioni Europian ishte shumë i qartë, pa qasje të koordinuar mes 27 vendeve anëtare, ne rrezikojmë përçarjen dhe probleme në lëvizjen e lirë dhe në zinxhirët e furnizimit, diçka të cilën e dëshmuam sërish javëve të kaluara”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian, Christian Wigand.

Gjermania e mbrojti vendimin e saj për të ashpërsuar kontrollet kufitare me Republikën Çeke dhe Austrinë duke thënë se është e përkohshme dhe se është në shërbim të mbrojtjes së qytetarëve të saj. Ministri për Europën, Michael Roth, tha se është në kontakt të afërt me autoritetet franceze që të koordinojnë kufizimet kufitare për të frenuar përhapjen e varianteve të reja të Covid-19.