Bota “Zbutet” Serbia: Ushtria nuk ka hyrë aty ku nuk duhet në Kosovë

“Zbutet” Serbia: Ushtria nuk ka hyrë aty ku nuk duhet në Kosovë

Pas qëndrimeve shumë të ashpra dhe kërcënimeve, Serbia ul tonet në tensionet e fundit me Kosovën. Presidenti, Aleksandër Vucic, u shpreh i hapur për ulje të tensioneve, pas presionit të ndërkombëtarëve.

“Ne jemi të përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe respektimin e marrëveshjes së Brukselit, por nuk do të lejojmë poshtërimin as të Serbisë dhe as të qytetarëve të saj”, u shpreh Vuçiç.

Deklarata erdhi pas një takimi me ambasadorët e shteteve të Quintit, përkatësisht Britanisë së Madhe, Amerikës, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me kreun e delegacionit të Bashkimit Europian. Përfaqësuesit diplomatikë bënë thirrje për ulje të tensioneve në veri të Kosovës.

Në tjetër sinjal për zbutje të qëndrimit të Beogradit erdhi nga ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç. Në një intervistë për televizionin Pink, ai pranoi se ka ngritur nivelin e gatishmërisë së ushtrisë për shkak të situatës në veri të Kosovës, por se kjo vlen për territorin deri në vijën kufitare me Kosovën.

Sipas tij, gatishmëria dhe shtimi i prezencës ushtarake në kufi me Kosovën është kryesisht mekanizëm parandalues. “Kemi të drejtë të pozicionohemi në territorin tonë, askush s’na tregon çfarë të bëjmë, është vendim sovran. Nuk po shkelim asnjë marrëveshje ndërkombëtare, ushtria s’ka hyrë askund ku nuk duhet të hyjë”, ka thënë Stefanovic. Ai shtoi se ngritja e gatishmërisë së ushtrisë serbe ka treguar se “Serbia nuk i lejon incidentet”.