Bota Zelensky: Putini “do të vdesë” së shpejti, Trump të mos dorëzohet ndaj...

Zelensky: Putini “do të vdesë” së shpejti, Trump të mos dorëzohet ndaj kërkesave të Moskës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka parashikuar se Vladimir Putin “do të vdesë së shpejti” mes thashethemeve për gjendjen e keqe shëndetësore të liderit rus.

Deklarata e Zelensky erdhi gjatë një interviste me gazetarët dje në Paris pas takimit të tij me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Zelensky, 47 vjeç, i kërkoi SHBA-së të mos i nënshtrohej kërkesave të Moskës, duke thënë se Putini do të vdiste së shpejti, dhe ky ishte një fakt, dhe kur kjo të ndodhë, çdo gjë do mbarojë.

Thashethemet rreth gjendjes së keqe shëndetësore të liderit rus kanë qarkulluar prej disa vitesh, pasi ai është parë shpesh me fytyrë të fryrë, sy të gjakosur, duke përjetuar dridhje të këmbëve, ndërsa në disa raste ai është shfaqur gjithashtu duke çaluar.

Vetëm javën e kaluar u raportua se Putini, 72 vjeç, kishte pësuar një “goditje të vogël” pasi u pa duke u dridhur në mënyrë të pakontrolluar gjatë një konference.

Ka pasur pretendime se ai mund të ketë kancer dhe sëmundjen e Parkinsonit – por këto nuk janë verifikuar.

Gjatë takimit të djeshëm, Zelensky tha se ai beson se Putini po përpiqet të godasë Bashkimin Evropian nga brenda, duke iu referuar Hungarisë, e cila është në anën e Rusisë.

Duke folur pas bisedimeve, Macron tha se një forcë paqeruajtëse evropiane e dislokuar në Ukrainë mund të përgjigjej nëse Rusia fillon një sulm.

“Nëse do të kishte përsëri një agresion të përgjithësuar kundër tokës ukrainase, këto ushtri do të ishin nën sulm dhe atëherë është korniza jonë e zakonshme e angazhimit”, tha Macron.

“Ushtarët tanë, kur angazhohen dhe dislokohen, janë aty për të reaguar dhe për t’iu përgjigjur vendimeve të komandantit të përgjithshëm dhe nëse janë në situatë konflikti, për t’iu përgjigjur”, shtoi ai.

Macron, së bashku me Zelensky do të mirëpresë sot liderët evropianë në Pallatin presidencial Elysee për të eksploruar edhe një herë mënyrat për të ndihmuar Ukrainën në rast të një armëpushimi të përhershëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë, nuk do të përfaqësohen në bisedime.

Administrata e Donald Trump nuk ka treguar entuziazëm publik për diskutimet e koalicionit për dërgimin e mundshëm të trupave në Ukrainë pas një armëpushimi eventual, ndërsa i dërguari special i presidentit amerikan, Steve Witkoff, ka hedhur poshtë idenë e dislokimit të trupave evropiane apo edhe nevojën për të.