Bota Zemërim pas urdhrit të Putin për mobilizim të pjesshëm ushtarak, rusët ngrihen...

Zemërim pas urdhrit të Putin për mobilizim të pjesshëm ushtarak, rusët ngrihen në protesta

Urdhri i Presidentit rus Vladimir Putin për “mobilizim të pjesshëm” të ushtrisë në Rusi ka ngjallur një zemërim të madh dhe në Rusi. Rusët kanë dalë të protestojnë kundër këtij vendimi. Ndërkohë, revolta e tyre është përballur me brutalitetin e Policisë.

Gazetarja e prestigjiozes “Sky News” Diana Magnay, e cila ndodhet atje thotë se Policia po i trajton brutalisht protestuesit.

“Policia po sillet me ta shumë brutalisht, është e jashtëzakonshme të shohësh se sa guximtarë janë njerëzit që i dëgjojmë duke brohoritur ‘jo luftës’. Unë nuk po them se të gjithë në këtë vend janë kundër këtij mobilizimi të pjesshëm, unë kam dalë në rrugë duke folur me njerëzit sot dhe disa njerëz veçanërisht brezi i vjetër po thonë ‘kjo është ajo që duhet të bëjmë, duhet të shpëtojmë. Por ka njerëz këtu që nuk pajtohen me këtë, që janë të shqetësuar për këtë përshkallëzim.”

Gazetarja shton se populli rus nuk ka protestuar më herët, pra në 5-6 muajt e fundit pasi njerëzit kanë qenë aq të frikësuar nga fakti se mund të ndalohet nga Policia.

“Ne nuk kemi parë protesta në qytete për 5-6 muajt e fundit, njerëzit kanë qenë aq të frikësuar nga fakti se do të ndalohen nga Policia. Ky njoftim mobilizimi ka nxjerrë njerëzit në rrugë këtu në Moskë dhe në qytete të tjera të ndryshme anembanë vendit”, raportoi gazetarja.

Pas urdhrit të Putin, fluturimet direkte të planifikuara për sot dhe orët në vijim nga Moska për në kryeqytetet e vendeve “mike” u shitën menjëherë.

Gjithashtu brenda disa orësh, u ezauruan dhe fluturimet për në Kazakistan, Uzbekistan dhe Kirgistan.