Kryesore Zëri i Amerikës: Basha ka dhënë shpjegime kontradiktore për 500 mijë $...

Zëri i Amerikës: Basha ka dhënë shpjegime kontradiktore për 500 mijë $ e ‘Muzin’

Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës ku ai ishte thirrur në cilësinë e të pandehurit për t’u njohur me akuzën lidhur me hetimin e nisur për pagesat e bëra për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti Basha i është drejtuar me një letër Prokurorisë, ku shpjegon se arsyeja për të cilën ai nuk paraqitet është se shkresa e organit të akuzës është përpiluar sipas tij në shkelje të ligjit.

“Në lidhje me “Ftesën për Paraqitje” të datës 12 Qershor 2019, ju informoj se njoftimi juaj nuk përmbush detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast”. Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore”. Shkruan zoti Basha duke shtuar se “për këtë arsye, akti juaj i njoftimit është absolutisht i pavlefshëm, sikurse përcakton neni 128/ pika 1 shkronja c, i KPP-së që parashikon se “aktet janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me thirrjen e të pandehurit, viktimës ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.”

Kryetari demokrat, thekson se “duke konfirmuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të ri të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

Në përgjigjen dërguar prokurorisë, zoti Basha akuzon sërish organin e akuzës se ka vepruar, sipas tij me një prapavijë politike. “Unë jam paraqitur në organin e prokurorisë mbi këtë çështje sa herë është kërkuar, në përputhje me ligjin. Këtë e kam bërë në respekt të plotë të ligjit, pavarësisht se në të gjitha rastet, thirrja e Kryetarit të Opozitës në prokurori mbi këtë çështje, është bërë gjithmonë pas paralajmërimit disa ditë përpara nga Qeveria dhe sa herë kjo e fundit ka qenë nën akuzë publike për skandale kriminale apo korruptive”, shkruan Kryetari i PD-së.

Edhe javën e shkuar, në reagimin e tij ndaj thurrjes nga ana e prokurorisë, zoti Basha bëri përgjëgjës direkt kryeministrin Rama që sipas tij “me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Edi Rama ka një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun”. Sipas zotit Basha “Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!”.

Sipas hetimit, mësohet se ka rezultuar se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke ju shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, të jetë paguar nga Partia e tij.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjëherë lidhjet me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale e që fije të ndryshme e lidhin dhe me shtetas rus. PD ka deklaruar publikisht se “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.

Lidhur me pagesën prej 500 mijë dollarësh që Muzin ka deklaruar se janë bërë nga PD, zoti Basha ka dhënë shpjegime kontradiktore. Në mars të vitit të shkuar ai ishte shprehur se “nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”. Ndërsa në nëntor të 2017 e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.

Nuk dihet se çfarë provash Prokuroria ka në dipozicion, dhe nëse ajo ka siguruar dokumenta të reja. Marsin e kaluar ajo shpjegoi se “ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga PD dhe shpenzimeve reale të saj: PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin” – theksohej në deklaratën e prokurorisë të pak muajve më parë. Sipas saj, nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 mijë dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat PD nuk i ka deklaruar ligjërisht. “Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade” – deklaroi prokuroria e Tiranës në mars.

(VOA)