Aktualitet Zgjati 5 minuta/ Grabitësit vepruan pasi nga avioni zbriti presidenti Meta

Zgjati 5 minuta/ Grabitësit vepruan pasi nga avioni zbriti presidenti Meta

Në momentin ku ndodhi grabitja në Rinas, aeroporti ka qenë në masa të forta policie.

Pasi ka zbritur në pistë avioni, ka zbritur Presidenti Ilir Meta, i cili kthehej nga një vizitë zyrtare në Austri.

“Ka qenë garda, sepse është kthyer presidenti i Republikës nga Austria. Po ashtu do të nisej disa orë më vonë dhe zyrtari amerikan do të nisej”, tha gazetari Artan Hoxha.

Sipas tij grabitësit kanë pritur të largohet garda dhe më pas kanë vepruar.

Hoxha tha se autorët kanë pasur informacion të detajuar për lëvizjen e vlerave monetare si dhe për oraret.

Skema e grabitjes

E gjithë grabitja në Rinas ndodhi për 5 minuta. Kështu deklaroi gazetari Ermal Vija në emisionin “Opinion”. Sipas tij grabitësit që dyshohet të jenë 4, të parë nga kamerat e sigurisë, ishin të mirë përgatitur.

Ai tha se ata kishin dijeni për gjithë transfertën dhe për orarin e saktë kur nisej avioni.

Sipas dëshmive të tjera, grabitësit kanë hyrë lehtësisht në mjediset e aeroportit, duke qenë se automjeti i tyre mbante mbishkrimin “Hetimi tatimor”, që dyshohet të jetë falsifikuar.

Ata kanë përdorur më pas maskat, ndërsa kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake, dhe të armatosur me kallashnikovë, pistoleta dhe granata dore.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri.

Një prej grabitësve ka mbetur i vrarë me një plumb në kokë.

Të tjerët kanë mundur të largohen, duke i vënë më pas flakën automjetit me të cilin udhëtonin.