Politika Zgjedhje me Ramën kryeministër? Kryemadhi: Femrat janë më sfiduese, “Meta është i...

Zgjedhje me Ramën kryeministër? Kryemadhi: Femrat janë më sfiduese, “Meta është i pathyeshëm

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë një interviste në Ditari në A2, mohoi të ketë negociata të fshehta për zgjidhjen e krizës politike.

Kryemadhi nguli këmbë se opozita vazhdon të jetë e bashkuar dhe qëndrimin e saj të ndryshëm nga Lulzim Basha për t’u përballur në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, ajo e shpjegoi me arsyetimin se femrat janë më sfiduese se meshkujt.

“Unë gjithmonë e kam thënë që politika duhet të përballet me sfidat e saj. Basha ka shumë të drejtë sepse në çfarë zgjedhjeje do të hysh me një kryeministër që akuzohet për bashkëpunim me krimin për vjedhjen dhe blerjen e votës? Qoftë SHBA dhe BE nuk negociojnë me kriminelët, vetëm negociata të fshehta bëjnë. Politika shqiptare ka negociuar fshehtas këto 30 vjet dhe prandaj nuk e kemi kaluar tranzicionin. Portalet pranë Ramës trumbetojnë se do të ketë negociata të fshehta, por absolutisht nuk ka. Jemi në unison. Ne nuk kemi problem dialogun, e ka problem Edi Rama. Por, dialogu duhet të jetë institucional, ne nuk bëjmë dialog sa herë ka Rama problem. Një nga kushtet për hapjen e negociatave është dialogu. Dialog për gjithçka. Unë them që femrat janë më sfiduese se meshkujt. Pranojnë të përballen”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së shtoi se “kjo është beteja e fundit për Shqipërinë”. Sipas saj, “nëse ne humbasim, nëse nuk hapen negociatat, mos u çudisni që shumë shpejt të dëgjoni edhe ndonjë propozim që Shqipëria nuk duhet të ekzistojë më si shtet”.

Kryemadhi u shpreh pesimiste për fitimin e kësaj beteje: “Negociatat janë një sfidë për klasën politike dhe popullin shqiptar. BE është shumë e qartë në procesin e hapjes së negociatave. Ka datë dhe ka përgjigje PO ose JO. Para një viti hapëm shampanjën, ndërsa sot presim 18 Tetorin. BE nuk bën politika dhe propagandë. Po i ushqejmë shqiptarët me lugën bosh. Reforma në Drejtësi do të thotë, sipas Komisionit të Venecias, që vendi të mos qëndrojë asnjë ditë pa Gjykatë Kushtetuese, por ne po hyjmë në vitin e tretë pa të; do të thotë që gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të largohen nga sistemi, por jo të largohen ata që janë kundër qeverisë dhe të qëndrojnë ata prokurorë të korruptuar që kanë mbushur xhepat me dosjet e hallexhinjve, të paguajnë dosjet e qeveritarëve që të kontrollojnë vetting-un. Raporti i OSBE/ODIHR tregon që negociatat nuk hapen. Dhe vetëm një rrugë ka për të dalë nga e keqja: zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Numri një i LSI-së justifikoi vendimin e opozitës për djegien e mandateve: “Djegia e mandateve ishte kura immediate dhe e duhur për vendin, për të rrënuar një herë e përgjithmonë tranzicionin, që e ka kthyer vendin në bazën kryesore të krimit të organizuar. Opozita është gati të marrë përgjegjësinë. Edhe unë po të isha President apo ambasador, të njëjtat kritika do të kisha për opozitën”.

Në lidhje me konfliktin qeveri-President, Kryemadhi tha: “Meta, po u vendos në luftë parimore, është i pathyeshëm. Sfida e tij që në fillim ka qenë integrimi. Meta po ndjek rrugën e tij institucionale, ndërsa ne si opozitë kemi menduar rrugën tonë, pasi nuk na u la rrugëzgjidhje tjetër, pasi mbyllja e syve nga disa ndërkombëtarë burokratë dhe mediave, bëri që të pozicionoheshim në llogoren e luftës përballë oligarkisë që drejtohet nga Edi Rama”.