Kryesore Zgjedhjet, Dumani: Gati strategjia për hetimin e krimeve zgjedhore

Zgjedhjet, Dumani: Gati strategjia për hetimin e krimeve zgjedhore

Në një takim informal me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani foli dhe në lidhje me hetimin e krimeve zgjedhore, tashmë që fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit është në prag.

Pa dashur të zbulojë shumë detaje, drejtuesi i strukturës së posaçme bëri me dije se strategjia për hetimin e krimeve zgjedhore ka përfunduar, ndërkohë që do të pasohet dhe nga një plan veprimi.

“Kam deklaruar që do të publikoj strategjinë e hetimit të krimeve zgjedhore, strategjia thuajse ka përfunduar, pritet miratimi po ashtu është menduar edhe një plan veprimi dhe një urdhër, por për momentin nuk mund ta bëj publik urdhrin”.

Dumani u pyet në lidhje me hetimet për dosjen “21 Janari”.

Drejtuesit i strukturës së posaçme deklaroi se aktet për këtë çështje kanë mbërritur në SPAK më 11 korrik, teksa çdo ditë kryhen veprime konkrete

“Vendimi nga Gjykata e Lartë është marrë në mars të 2024 dhe aktet në SPAK kanë mbërritur në 11 korrik, në datën 15 korrik është bërë regjistrimi i procedimit penal pa emra konkret.

Çdo ditë për këtë çështje kryhen veprime konkrete pasi e tillë është dinamika, që sjell nevojën për veprime të përditshme”, tha Dumani.