Politika Zgjedhjet e 14 Majit, PD marrëveshje koalicioni me PBDNJ

Zgjedhjet e 14 Majit, PD marrëveshje koalicioni me PBDNJ

Partia Demokratike ka firmosur marrëveshje koalicioni me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Kreu i selisë blu, Sali Berisha dhe ai i PDBDNJ, Vangjel Dule firmosën këtë të mërkurë marrëveshjen.

Kryedemokrati Berisha gjatë fjalës së tij shprehur kënaqësinë për këtë marrëveshje me një parti që e konsideroi si një aleat të hershëm të PD-së.

“Shpreh kënaqësinë time dhe të PD për këtë marrëveshje me një aleat të hershëm të PD me të cilën ne vendosim të bëjmë një betejë të përbashkët kundër monizmit të plotë të vendosur nga regjimi më i korruptuar në Europë dhe ndër më të korruptuarit në botë, regjimi i Edi Ramës. Përmbysja e këtij monizmi është përparësi absolute e çdo qytetari të lirë, e çdo opozitari dhe në këtë kontekst ne së bashku me PBDNJ, Omonian, bashkojmë forcat me bindjen se më 14 Maj do japim një goditje fatale sistemit monist, por nga ana tjetër ne synojmë  t’ju kthejmë bashkitë qytetarëve shqiptarë, t’i kthejmë bashkitë në shtëpitë e përbashkëta të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.