Kryesore Zgjedhjet e “30 Qershorit”, Meta: Kushtetuesja nuk mori asnjë përgjegjësi, anëtarët kanë...

Zgjedhjet e “30 Qershorit”, Meta: Kushtetuesja nuk mori asnjë përgjegjësi, anëtarët kanë kryer shkelje

Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për shtyp këtë të premte, foli për zgjedhjet lokale të vitit 2019 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për Metën, Kushtetuesja nuk mori asnjë përgjegjësi, duke mos dhënë një përgjigje përfundimtare.

Më tej, Meta u shpreh se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ka të dhëna se kanë kryer disa shkelje të rënda profesionale dhe etike që cenojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.

“Ju vazhdimisht prej shumë kohësh më keni bërë pyetje se çdo të bëhet me zgjedhjet vendore, se çdo të bëhet me bashkitë ku janë dhënë dorëheqje dhe janë pa kryetar formal për arsye të rasteve të ndryshme dhe unë gjithmonë ju kam thënë që pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe këtë kemi pritur të gjithë prej 2 vitesh e gjysmë. Nuk u nxitova kur Gjykata Kushtetuese dha vendimin e saj apo mosvendimin e saj sepse kam dashur që të kem një informacion sa më të plotë për gjithçka që ka ndodhur dhe të gjitha detyrimet që indin në këtë proces.

Përkundër kësaj pritshmërie të lartë dhe legjitime të popullit tonë dhe shumë institucioneve ndërkombëtare që e kishin kushtëzuar hapjen e negociatave dhe me këtë kusht do duhej të kishim një vendim përfundimtar ndërsa kjo gjykatë nuk mori asnjë përgjegjësi. Siç jeni në dijeni GJK me vendimin 36, datë 4 Dhjetor 2021 vendosi të rrëzojë kërkesën e shoqatës së bashkive pasi nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues duke e shpallur veten jo kompetente për shqyrtimin e kësaj çështje. GJK e la çështjen pa zgjidhje. Ia la çështjen juridiksionit politik. Përmes një letre zyrtare i kërkova Gjykatës një kopje të të gjithë dosjes gjyqësore.

Disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ka të dhëna se kanë kryer disa shkelje të rënda profesionale dhe etike që cënojnë figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit.  Pa u zgjatur në detaje shkeljet konsistojnë në shkelje të ligjit për mënyrën e caktimit të relatorit të çështjes. Nga vetë Gjykata nuk na rezulton të jetë hedhur shorti për zgjedhjen e relatorit”, tha Meta.