Kryesore Zgjedhjet e 30 qershorit, Policia e Shtetit kalon në gadishmëri

Zgjedhjet e 30 qershorit, Policia e Shtetit kalon në gadishmëri

Policia e Shtetit kalon në gadishmëri të përforcuar. Që prej mbrëmjes së të shtunës, pak orë para se të nisë procesi i votimit, forcat e policisë do të pozicionohen pranë qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë.

Përgatitja e rreth 6500 oficerëve të niveleve të ndryshme, ka nisur që në muajin Mars, me hartimin e detyrave, programin e punës, për sigurimin e rendit dhe sigurisë në procesin zgjedhor.

Prej ditësh ka nisur edhe plani i masave për sigurimin e më shumë se 5000 Qendra Votimi dhe të 90 KZAZ-ve.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i ka dërguar KQZ-së, listën me rreth 6500 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë vendin, si dhe listën me mbi 200 automjete civile që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Përveç punonjësve të Policisë në Drejtoritë Vendore, nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë dhe Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit, do të dërgohen mbi 1000 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor. Përllogaritet se në çdo qendër votimi do të ketë të paktën nga 1 oficer policie. Ndërhyrja e tyre brenda qendrës së votimit do të bëhet vetëm me kërkesë të komisionerëve, në rast të ndonjë incidenti.

Prezencë më e shtuar e policisë pritet të jetë në disa prej bashkive që drejtohen nga PD- LSI.