Kryesore “Zgjedhjet janë të popullit”, replika Meta-Rama

“Zgjedhjet janë të popullit”, replika Meta-Rama

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, kryeministri Edi Rama tha se për krizën politike zgjidhja është e qartë, “është zgjidhja që mbështet i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe patjetër edhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar, që do të thotë që zgjedhjet janë të popullit dhe jo të politikanëve. Populli ka të drejtë të zgjedhje në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe politikanët kanë detyrë të paraqiten përpara popullit. Kush nuk paraqitet përpara popullit është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar që jo vetëm nuk fiton asgjë, por përkundrazi merr një kosto të madhe politike.”

Pas kësaj deklarate ka reaguar zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, i cili shprehet se “shumë dakord me kryeministrin. Zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por të popullit. Demokracia dhe pluralizmi politik janë të panegociueshme.”

Rama shtoi “unë kam insistuar gjithmonë për dialog, e vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe afatet kur populli duhet të marri fjalën.”