Opinione Zgjedhjet lokale shqiptare: Sfida për Tiranën dhe Durrësin

Zgjedhjet lokale shqiptare: Sfida për Tiranën dhe Durrësin

Nga Gjergji Kajana

Në 14 maj në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet lokale. Aktualisht shumica e bashkive e komunave drejtohen nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama. Sipas sondazheve, partia qeveritare është favorite për një rikonfirmim në rang kombëtar. Epiqendër e sfidës elektorale janë kryeqyteti Tirana dhe qyteti bregdetar i Durrësit, porti kryesor i vendit. Drejtuar aktualisht nga dy kryebashkiakë socialistë (Erion Veliaj dhe Emiriana Sako), dy bashkitë e mëdha u dëmtuan rëndë nga një tërmet në 2019, ngjarje e cila ndikoi në kalimin e shumë shpenzimesh publike tek procesi i rindërtimit. Këto vështirësi, gjithsesi, nuk kanë prekur rëndësinë e dy bashkive si pritëse të mëdha investimesh në Shqipëri dhe burime kryesore të Prodhimit të Brendshëm Bruto kombëtar.

Vendosur në krizë nga një konflikt politiko-ligjor që ka përçarë Partinë Demokratike, opozita paraqitet në zgjedhje me koalicionin “Bashkë fitojmë” (që përmbledh grupin e PD-së drejtuar nga lideri historik i partisë Sali Berisha e Partinë e Lirisë të ish-presidentit të republikës Ilir Meta) dhe PD juridikisht të njohur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e drejtuar nga ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.

Sfida për Tiranën – Sfidantët për kreun e Bashkisë Tiranë janë gjashtë: përveç atij të Veliajt në skedën elektorale gjenden emrat e Belind Këlliçit (ish-drejtues i forum rinor demokrat dhe kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë”), Roland Bejko i PD, Lajla Përnaska për PDIU, Arlind Qori për Lëvizja Bashkë dhe Marko Dajti për Fronti i Majtë. Gara për t’u zgjedhur zhvillohet mes dy të parëve.

Në dekadën e parë të tranzicionit postkomunist Tirana ishte bastion elektoral i të djathtës së PD, e cila qeverisi qytetin në dy mandate radhazi. Në periudhën 2000-2011 në qeverisje erdhën socialistët me kryebashkiak Edi Ramën, i cili u përqendrua në zgjerimin e hapësirave publike. Administrata e kryebashkiakut të ri çoi para projekte përmirësuese urbanistike e kulturore të cilat ndikuan mbi ekonominë e punësimin, duke rritur fuqinë tërheqëse të kryeqytetit. Bumi demografik e ai i ndërtimeve (të dy ende në vazhdim) kanë detyruar administratën bashkiake të angazhohet fort në pajisjen me shërbime sociale të banorëve. Pas zgjedhjesh të kundërshtuara fituar nga kandidati i djathtë Lulzim Basha (2011), socialistët rifituan shumicën bashkiake me Erjon Veliaj-n në 2015, duke u rikonfirmuar në 2019.

Shfaqur në jetën publike si eksponent i shoqërisë civile, para zgjedhjes kryebashkiak Veliaj kishte kryer funksionet e sekretarit për rininë e emigracionin në Partinë Socialiste dhe në 2013 – 2015 ato të ministrit të Mirqënies Sociale e Rinisë. Programi i tij elektoral përfshin rindërtimin e teatrit të vjetër kombëtar (shembur mes protestash), stadiumit të dytë të Tiranës e pallatit të sporteve, pajisjen e qytetit me një unazë komunikimi, shtim të ndërtesave per studentët dhe kthimin e ish-mauzoleut Piramida në një qendër teknologjie. Synohet ngritja e një zone të zhvillimit ekonomik e teknologjik (TEDA) në Kashar me zbatimin e një projekti prej 102.6 milionë eurosh për të vendosur në punë industri që do të gëzojnë një regjim të favorshëm taksash dhe ku Bashkia parashikon minimalisht 5 mijë të punësuar.

Në një qytet ku vlerësohet se qarkullojnë rreth 200 automjete për 1000 banorë platformat elektorale të Veliajt e Këlliçit po ndeshen me propozime për reduktimin e ndikimit të pasojave të trafikut automobilistik mbi cilësinë e jetës në qytet. I vetmi sistem transporti publik në Tiranë është ai me autobusa urbanë.

Përmes financimesh të parashkuara nga grupi i tij i punës në 16.8 milionë euro në vit, kandidati i “Bashkë fitojmë” angazhohet ta kthejë transportin publik në falas për rezidentët në kryeqytet; këtij plani i bashkangjitet ndërtimi i një nënkalimi në qendër të qytetit për të tërhequr aty pjesë të trafikut në sipërfaqe dhe krijimi i aplikacionit informativ shumëpërdorimësh “TI Tirana”. Shtylla kurrizore e programit Këlliçi plotësohet me angazhim për shtimin e hapësirave të gjelbërta dhe mbështetje për prodhuesit bujqësorë lokalë. Programi Veliaj për transportin synon krijimin e korsive preferenciale për autobusat dhe hapjen brenda 2024 të një stacioni ndërqytetas lidhur me hekurudhat në drejtim të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit e Durrësit.

Një studim realizuar në 2022 nga Agjencia gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) mat me ulje koston trevjeçare të projektit të transportit falas në një gërshërë mes 91.5 e 114.1 milionë euro, duke e gjykuar mënyrë jo optimale të përdorimit të fondeve bashkiake. Enti gjerman rekomandon modernizimin e flotës së autobusëve urbanë, rritjen e alternativave për ecjen e këmbësorëve e biçikletave dhe përdorim shtysash që nxisin drejt transportit publik nxënësit, të rinjtë e personat në moshë të thyer.

Sfida për Durrësin – Ndërshkëmbimet ekonomike të Tiranës janë ngushtësisht të lidhura me Durrësin, ku në 14 maj kryetarja aktuale e bashkisë Sako sfidohet nga kandidati i “Bashkë fitojmë” Igli Cara, ish-deputet e drejtues demokrat në nivel lokal. Mes pozitiviteteve të mandatit të saj Sako numëron shtimin me 5.7% të sipërmarrjeve aktive në periudhën 2019 – 2022. Programi i saj për rikonfirmim të mandatit bazohet në përmirësim të infrastrukturës publike e të banimit duke i vendosur si pika simetrike me rindërtimin post-tërmet, ngritjen e një parkingu shumëkatësh prej 396 vendesh, investime në institute parashkollore, shkolla e qendër kulturore për të rinjtë dhe aktivizimin e një aplikacioni informativ. Propozimet kryesore të Cara-s janë: ulje e barrës fiskale bashkiake, shpenzime sociale në rritje, ndërtim tregjesh të reja bujqësore, aftësi në ngritje të infrastrukturës digjitale e përfundim të procesit të rindërtimit post-tërmet.

(Përkthyer nga italishtja në shqip, ky artikull është botuar në origjinal në think tank italian Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa.)