Kosova Zgjedhjet në Kosovë, LDK e Vetëvendosje garojnë vetëm

Zgjedhjet në Kosovë, LDK e Vetëvendosje garojnë vetëm

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës do të shkojnë të vetme në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Afati për shpalljen e koalicioneve skadoi në mesnatën e së premtes, e sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 4 janë koalicionet e regjistruara; ai mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë dhe dy të tjera mes partive që përfaqësojnë pakicat kombëtare.

“Deri në momentet e fundit pati përpjekje përngjizjen e një aleance tjetër mes LDK dhe Vetëvendosjes, por posti i Kryeministrit e pamundësoi këtë”, tha Valmir Elezi, zëdhënësi KQZ. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i ofroi Isa Mustafës të shkonin me një listë të përbashkët në zgjedhjet, pa e përcaktuar kandidatin për Kryeministër. Por përmes një letre, kryetari i LDK-së e refuzoi propozimin, duke e bërë të qartë se Vjosa Osmani nga partia e tij, duhej të ishte kandidatja për postin e shefit të ekzekutivit.

Kosova do të votojë më gjashtë tetor në zgjedhjet e parakohshme që pasuan dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë. Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht me çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve të pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimet evropiane të tyre.